Veseli: Serbia nuk po arrin të pranojë krimet e luftës në Kosovë

Me një minutë heshtje për dëshmorët, ka filluar takimi i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, me ish-pjesëtarë të ‘Batalionit Atlantiku’ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët 20 vite më parë nga Amerika ju bashkuan luftës për çlirimin e Kosovë.

Kryeparlamentari Veseli tha se lufta çlirimtare nuk do të kishte kuptim pa kontributin e bashkëatdhetarëve.

“Keni ardhur me emocione dhe krenari pasi që tani kanë kaluar dy dekada, kohët nuk kthen po memoriet, në cilat u kanë përgjigje thirrjes së atdheut kur është dashur më së shumti, në momentet vendimtare keni vendosur të lini jetën e re të gatshëm për t`u vetësakrifikuar. Edhe pas dy dekadash, shteti serb nuk po arrijnë të pranojë krimet që ka bërë në Kosovë, duke tentuar të mohojë masakrat mbi civilët e pafajshëm shqiptarë. Sipas statistikave 180 masakra kanë ndodhur në Kosovë, afër 12 mijë civil të pafajshëm e shumë të tjerë, që tregon një obligim për neve që jemi gjallë duhet kërkuar drejtësia dhe e vërteta”, tha kryeparlamentari.

Komandanti i ‘Batalionit Atlantiku’, Gani Shehu, tha se ky batalion mblidhte të rinj nga të gjitha trojet e gjeografisë shqiptare, siç e quajti ai, një Shqipëri në miniaturë.

“Ne jemi të nderuar që jemi këtu, sepse para 20 viteve ka qenë një ëndërr të jemi këtu. 20 vite më parë kur Kosova ishte në periudhë të vështira lindi nevoja që mi dal zot vendit. Përveç kësaj, me ndihma materiali u organizua edhe Atlantiku është u përbërë nga djemtë dhe një gocë. Kemi parë shumë shqiptaro amerikanë, që as shqip nuk kanë ditë, për ta ka qenë rrugëtimi i parë drejtë rrugës së çlirimit së Kosovës. Pas 20 vite deshëm te rikujtojmë rrugëtimin tonë, dhe që dhanë më së shumti për këtë vend. Sa herë që vijmë shohim ndryshime dhe njerëz të gatshëm për ndryshime. Normalisht që çdo dukuri që nuk ecën na pengon por ne jemi të gatshëm të ndihmojmë edhe nga Amerika. Ne do të punojmë dhe ta mbështesim sipas mundësive tona”, tha Shehu.

Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, tha se Serbia duhet të japë përgjigje për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Është privilegj për mua qe të jem në mesin e këtyre burrave dhe të priten si hero ashtu siç janë duke u pritur edhe me flamuj nga Shqipëria. Zemrën e kam të mbushur nga ta, se ka qenë një luftë që të gjithë dhanë diçka, e dikush gjithçka. Është e dhimshme që dëmet që i ka bërë armiku, që po mbahen si peng për interesa të tyre. Pas 20 vite këtu erdhën dhe na kanë zbardhur faqen, na e bënë krenar për ta. Serbia duhet të jap përgjigje për krimet, plaga është e hapur dhe nuk mbyllet. Duhet bërë maksimumin për vendin tonë dhe jemi të gatshëm gjithmonë”, tha Gjonaj.