Veseli porosit rininë të qëndrojë në vend pasi në Kosovë po ndërtohen stadiume

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli gjatë vizitës në stadiumin “Fadil Vokrri” ka bërë të ditur se në fillim të vitit të ardhshëm do të nisë të ndërtohet stadiumi kombëtar.

“Pas këtij stadiumi, ne do të vazhdojmë menjëherë në Mitrovice, që do të kemi projektin e njëjtë. Besojmë që ne vitin 2019 të fillojmë stadiumin kombëtar i cili do të jetë një nga stadiumet më të mira edhe në regjion”, ka thënë Veseli. Ai ka shfaqur pritjet që kombëtarja e Kosovës do jetë pjesë e kampionatit botëror dhe europian.

Duke folur për liberalizimin e vizave Veseli ka porositur rininë të qëndrojë në Kosovë. “Kemi shumë për të bërë, jemi të vendosur për të dalë përball kërkesave të qytetarëve e sidomos të rinisë”, ka thënë Veseli.

Komentet ai i ka bërë gjatë inspektimit të realizimit të punimeve në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi shtoi se para pak ditësh mbikëqyrësit e UEFA-s i kanë dhënë dritën e gjelbër që  më 13 gusht të mund të luhet në këtë stadium.

“Para dy ditësh edhe mbikëqyrësit e UEFA-s kanë dhënë shenjë që më 13 gusht të luhet ndeshja, që për herë të parë do të luhen lojërat në Prishtinë”, ka thënë Gashi.

Gjithashtu, Veseli dhe Gashi i uruan qytetarëve emërimin e ri të stadiumit me emrin e legjendës së futbollit Fadil Vokrri.