Kadri Veseli- Foto: Atdhe Mulla

Veseli: Paralajmërimi i kryetarëve serbë të sapozgjedhur, cenon stabilitetin e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se paralajmërimet e krerëve të spozgjedhur serbë në katër komunat në Veri të vendit, cenojnë bashkëjetesën dhe stabilitetin e Kosovës.

“Paralajmërimi i dorëheqjes nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave të veriut të Kosovës, është një akt i pahijshëm dhe i dëmshëm që cënon bashkëjetesën dhe stabilitetin e Kosovës. Kjo deklaratë e dhënë prej tyre pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, dëshmon edhe njëherë qartazi mungesën e vullnetit të Beogradit për të ndërtuar paqe dhe fqinjësi të mirë”, ka shkruar Vesli në “Facebook”.

“Me këtë rast, i bëj thirrje përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, që të bëjnë detyrën e marrë përsipër si garantues për të bërë presion në mënyrë që Serbia të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel”, thuhet tutje në deklarimin e kryeparlamentarit.

Ai ka thënë se Kosova është një shtet model për garantimin e të drejtave të minoriteve.

“Pavarësisht këtyre provokimeve, dua të theksoj se Republika e Kosovës është një shtet model në mbarë Evropën për sa i përket garantimit të të drejtave komuniteteve jo-shumicë dhe do të vazhdojë me këmbëngulje që me procesin e dialogut final të zgjidhë problemet e së kaluarës me Serbinë duke siguruar njohjen dhe ulësen në OKB”, përfundon postimi i Veselit në “Facebook”.