Veseli opozitës: Vetëm një president është kundër pavarësisë së Kosovës

Kryeparlamentari Kadri Veseli në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita për çështjen e korrigjimit të kufijve tha se vetëm një president është kundër pavarësisë së Kosovës e ai sipas tij është presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

“Për çështjen e sovranitetin, bisedojeni, ujdiseni projekt-rezolutën bashkë. Është veç një president që mendon kundër pavarësisë së Kosovës, ai është Vuçiq”, tha Veseli.

Ai kërkoi nga deputetët e opozitës që të hartojnë një rezolutë bashkërisht dhe se meritat do ua lë opozitës.

“Merreni shkruajeni rezolutën flamurtar po ju bëjmë. Por që nga maji i 2018 kemi marrë qëndrim. Pse po mundoheni ta gjeni pretekstin në gjana të paqena. Presidentin e ka votu ky Kuvend është figurë politike. Jam shumë i bindur që presidenti atë rezolutë që e votojmë sot do ta respektoj deri në pikë të fundit”, tha ai.

Veseli deklaroi se opozita nuk e kanë seriozisht çështjen e rezolutës.

“Nuk e keni seriozisht atë çka po e thoni. Ajo çka është kryesore, është që duhet të nxjerrim një rezolute sot. Jemi për dialog sovranin ta ketë Kuvendi i Kosovës, t`i raportohet Kuvendit të Kosovës, e marrim bashkë përgjegjësinë. Ky është shteti ynë, pozitë-opozitë kanë me u ndërruar”, tha kryeparlamentari Veseli.