Kadri Veseli - Kryetar i PDK-së - 20.07.2019

Veseli njëjtë si Thaçi e Rama, nuk e komentoi aktin e Haradinajt që 'Kryeministri i Kosovës nuk do të shkojë në Hagë'

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli në një konferencë për media, në të cilën nuk pranoi të përgjigjej në pyetjet e gazetarëve, ka deklaruar se ftesat nga Gjykata Speciale nuk duhet të ngjallin pasiguri tek qytetarët e Kosovës. Ai si rrallëherë, kësaj radhe në këmishën e tij kishte vendosur logon e Partisë Demokratike të Kosovës – PDK.

Veseli, njëjtë sikurse presidenti i vendit Hashim Thaçi, dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, nuk e ka komentuar fare aktin e dorëheqjes dhe deklarimet e Haradinajt se: “Nuk dua që kryeministri i Kosovë të shkojë në Hagë, prandaj kam ofruar dorëheqjen”.

“Ftesat për bashkëluftëtarët që po vijnë nga Gjykata Speciale e që mund të vijnë edhe në vazhdim nuk duhet të lejojmë të shkaktojnë asnjë huti apo pasiguri te qytetarët tanë. Besimi ynë në drejtësi dhe në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është i palëkundur, për aq sa edhe bindja jonë se ushtarët e lirisë do të dalin faqebardhë dhe edhe në fund të kësaj sfide”, tha Veseli.

Ai shtoi se: “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, është produkt i sakrificës sublime të qytetarëve tanë, është e arritur e luftës së tyre për liri të udhëhequr nga UÇK. Ndërsa, shteti jonë është siguria e jetës për fëmijët dhe kombin tonë. Shteti ynë është i shenjtë dhe i pacenueshëm”, deklaroi Veseli.

Ai në këtë konferencë deklaroi se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme pa dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, të premten më 19 korrik 2019.

“Vendimi i ish kryeministrit për dorëheqje është vendim personal dhe si të tillë e kemi pranuar. Pavarësisht që për këtë vendim nuk kemi pasur asnjë njoftim ose konsultë paraprake. Tashmë zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. PDK është e gatshme për zgjedhje, kurdo që3 të caktohen ato. Ajo që mund të diskutohet tanimë është vetëm koha kur ato duhet të mbahen. Për këtë besoj se do të kemi konsulta edhe me partnerët e koalicionit të deritanishëm dhe me partitë tjera politike në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet tona të cilat i kemi në fuqi”, deklaroi Veseli.

https://kallxo.com/veseli-zgjedhjet-e-parakohshme-jane-te-pashmangshme/

KALLXO.com transmetoi drejtpërdrejtë konferencën e Kadri Veselit nga selia e PDK-së – LINK

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit pasi ka marrë ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si kryetar i Qeverisë së Kosovës.

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

 

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

 

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.