Veseli në takim me ambasadorin e Gjermanisë, ky është vlerësimi i tij për Samitin e Berlinit

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka takuar sot ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë me të cilin ka diskutuar për diskutimet dhe rekomandimet e dala nga Samiti i Berlinit, i mbajtur dje.

Veseli përmes një statusi në Facebook, tha se ky samit ishte një hap para për perspektiven evropiane të Ballkanit.

Ai theksoi se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultojë me njohje.

“Në takim me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, vlerësuam se Samiti i Berlinit ishte një hap përpara për perspektivën evropiane të Ballkanit, e në veçanti për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.  Ky samit tregoi se, kur ka një vendosmëri dhe seriozitet, mund të ketë edhe rezultate dhe për këtë përgëzoj kancelaren Merkel dhe presidentin Macron”, tha Veseli.

Tutje krekuvendari shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet të ndërtojnë strategjinë e qasjes për arritjen e Marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, që rezulton me njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Republika e Kosovës mirëpret rekomandimet nga ky samit dhe do të marrë obligimet e veta në bazë të vullnetit të qytetarëve të saj, fqinjësisë së mirë dhe orientimit të vet euroatlantik”, ka shkruar ai.

Dje u mbajt Samiti i Berlinit i organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Kancelarja gjermane Angela Merkel në këtë takim porositi që zgjidhja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet “të bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit”.

Merkel po ashtu tha se në kuadër të këtij samiti do të diskutohet hapur për të gjitha sfidat.

Nga ana e tij, presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjithashtu porositi që në kuadër të samitit të diskutohet hapur për të gjitha opsionet që janë në tryezë sa i përket Serbisë dhe Kosovës.