Kadri Veseli - Foto: KALLXO.com

Veseli: Nasim Haradinaj të Reflektojë nga Fyerja e Ambasadorit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli reagoi ndaj deklaratës së nënkryetarit të OVL-UÇK, Nasim Haradinaj, i cili e quajti ambasadorin Amerikan në Kosovë “palaço”.

Veseli është lideri i dytë që sot ‘e qortoi’, Haradinajn për deklaratën që ai kishte dhënë në agjencinë e lajmeve ‘Kosovapress’ ku kishte thënë se ambasadori Greg Delawie nuk duhet të përzihet në çështjet e brendshme të Kosovës.

Haradinaj kishte thënë këtë pasi dje Delawie tha se nismëtarët e idesë për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, ‘do të përballen me pasoja’.

Veseli përmes një statusi në “Facebook” e cilësoi deklaratën e Haradinajt si fyerje që sipas tij nuk do duhej të ndodhte.

“Deklarata e dhënë sot nga një bashkëluftëtar i yni dhe përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së është një fyerje që nuk duhej të ndodhte asnjëherë në Kosovë nga njerëz që i kanë dhënë shumë Kosovës, si Nasimi me familje. Besoj dhe jam i bindur në reflektim nga Nasimi të kësaj çfarë ka ndodhur, ndaj ambasadorit të ShBA-së, një personaliteti të urtë, dinjitoz dhe shumë dashamirës ndaj vendit tonë”, shkroi Veseli.

Vetëm pak orë më parë, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte reaguar ndaj deklaratave të Nasim Haradinajt për ambasadorin.

http://kallxo.com/haradinaj-reagon-ndaj-fyerjes-te-ambasadorit-amerikan/