Veseli, Lladrovci e Gashi luajnë me top në lokacionin e Stadiumit Kombëtar

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci vizituan lokacionin ku do të ndërtohet Stadiumi Kombëtar.

Ministri Gashi njoftoi se së shpejti do të përzgjidhet projekti, duke shtuar së për herë të parë në Kosovë do të ndërtohet një stadium me kapacitet të lartë.

“19 kompani prestigjioze që kanë hartuar projekte të stadiumeve ndërkombëtare kanë konkurruar. Ne së shpejti do të përzgjedhim njërin nga projektet më të mira që do ta hartojnë këto kompani dhe të njëjtin do ta prezantojmë para publikut se si do të duket Stadiumi Kombëtar i cili do të ndërtohet në komunën e Drenasit”, citohet të këtë thënë ministri Gashi.

Kryetari Veseli foli edhe për investimet e tjera në rrethinën ku do të ndërtohet stadiumi, në mënyrë që të ketë edhe punësim për të rinjtë e të rejat që ata të qëndrojnë në Kosovë.

“Ky stadium, në këtë vend, i cili do të ndërtohet në Drenas, në qendër të Kosovës, do të jetë një nga stadiumet më të bukura që do ta ketë jo vetëm Republika e Kosovës, por jam shumë i sigurt edhe në regjion do të jetë më i bukuri. Do të jetë një stadium me standardet më të larta dhe në të njëjtën kohë në këtë vend do të shënohet historia”, tha mes tjerash kryeparlamentari duke potencuar faktin se djemtë që do të luajnë në këtë stadium do të shënojnë suksese historike për reprezentacionin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e MKRS-së.

Ndërsa kryetari Lladrovci citohet të këtë thënë se Komuna dhe qytetarët e Drenasit e kanë pasur fatin që Stadiumi Nacional të ndërtohet në komunën e Drenasit.

Ai përmendi bashkëpunimin që ka pasur me MKRS-në dhe ministrin Gashi për zhvillimin dhe kompletimin e procedurave që pronat t’i kalojnë Ministrisë.

Stadiumi Kombëtar i Kosovës do të ketë 25 deri 30 mijë ulëse.

https://kallxo.com/veseli-porosit-rinine-te-qendroje-ne-vend-pasi-ne-kosove-po-ndertohen-stadiume/

kallxo.com