Foto: Facebook/ Kadri Veseli

Veseli: Kushtetuta, dinjitet i shtetit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dinjiteti i shtetit.

Veseli në një postim të tij në Facebook tha se vetëm duke e respektuar aktin më të lartë juridik, qytetarët do ta respektojnë dinjitetin e tyre.

“Sundimi i ligjit është parimi themelor pa të cilin nuk mund të ecim përpara në përmbushjen e vizionit që kemi për shtetin, e as ta mbajmë Kosovën si një vend të shpresës, të perspektivës për të rinjtë e saj dhe për të gjithë qytetarët dhe komunitetet. Sundimi i ligjit është substancë jetike e vetë qenies sonë si Komb”, tha Veseli.

Ai shtoi se gjatë këtyre viteve Kosova ka arritur suksese dhe ato po i shënon me krenari.

“Por, në rrethanat tona, duhet të bëjmë edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më drejt se çdo shtet tjetër. Sepse, çmimi që dhamë dje dhe synimi që kemi sot janë të mjaftueshme për ta kërkuar këtë. Shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës ka vetëm një titullar: popullin e saj. Kjo është fryma e kushtetutës sonë. Është vetë e ardhmja jonë. Urime 11 vjetori i miratimit të Kushtetutës”, ka shkruar Veseli.