Kadri Veseli - Foto: Kallxo.com

Veseli: Kosova bëhet me Ushtri në mes të dhjetorit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se në dhjetor vendi do të bëhet me ushtri.

Këtë njoftim kreu i Kuvendit e bëri në Skenderaj, gjatë përurimit të fushës ndihmëse të futbollit për klubin Drenica.

Sipas Veselit, votimi për Ushtrinë e Kosovës do të bëhet në mesin e dhjetorit. Ai tha se vendimmarrja do të jetë transparente.

“Këtë vit, shumë shpejt do ta kemi Ushtrinë e Kosovës. Në mesin e muajit dhjetor do ta kemi votimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Të hënën do ta kemi mbledhjen e Kryesisë dhe do ta përcaktojmë datën. Do t’i respektojmë të gjitha procedurat. Komisionet parlamentare janë në përfundim të punës së tyre. Vendimmarrja do të jetë transparente. Data do të mbledhë gjithë sakrificën e popullit tonë, dëshirën  për liri, për paqe dhe të ardhme”, ka deklaruar Veseli.

Kreu i Kuvendit gjithashtu ka shtuar se Kosova nuk ka qenë agresor dhe as nuk do të jetë ndaj askujt.

Sipas tij Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe do të jetë i tillë përjetë.

“Populli ynë asnjëherë nuk ka qenë agresor ndaj askujt dhe as nuk do të jetë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe do të jetë përjetë i tillë, përderisa populli i Kosovës nuk e ndërron mendjen”, ka shtuar Kadri Veseli.

Para tre ditësh, Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka miratuar raportin me propozim-amendamentet për Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, raportin me propozim-amendamente për Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe raportin me propozim-amendamente për Projektligjin për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Pa debat në këtë komision, të gjitha këto propozim amendamente janë miratuar nga anëtarët e Komisionit.

https://kallxo.com/miratohen-amendamentet-e-projektligjeve-per-fsk-ne/

Javë më parë Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka formuar një grup punues për tri projektligjet që kanë të bëjnë me fuqizimin e FSK-së.

Pas kësaj është mbajtur një debat në Çagllavicë me qytetarët e kësaj ane në lidhje me qëndrimet e tyre karshi këtyre ligjeve, ku kryetarët e këtij komisioni u kanë bërë thirrje serbëve që të jenë pjesë e FSK-së.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdim në lidhje me këtë çështje:

https://kallxo.com/haxhi-shala-jane-rreth-300-kerkesa-te-serbeve-per-fsk/

https://kallxo.com/formohet-grupi-punues-per-projektligjet-e-fuqizimit-te-fsk-se/