Veseli: Këtë sesion kanë kaluar më së shumti ligje në historinë e Kuvendit

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deklaroi se në sesionin pranveror kanë kaluar më së shumti ligje në historinë e Parlamentit të Kosovës.

Kryeparlamentari njoftoi se gjatë këtij sesioni parlamentar janë  mbajtur 29 seanca plenare apo 52 ditë punë në Kuvend.

“Janë miratuar 38 Ligje, plus 7 ligje janë në procesin e votimit. Nëse hyjnë në fuqi edhe dy marrëveshjet dhe Ligji për Lirinë Fetare ne do të aprovojmë 48 ligje. Është një kronologji e cila është ardhur nga Administrata, ku thuhet se ky është sesioni që ka kaluar numrin më të madh të ligjeve në historinë e Parlamentit të Republikës së Kosovës, përveç në rastin kur është shpallur Pavarësia, më 2008, kemi një rast dhe kur u përmbyll Pavarësia po ashtu më 2013. Kjo është puna juaj”, tha Veseli para deputetëve.

Kryeparlamentari kërkoi pak kohë që të diskutohet me grupe parlamentare për seancën për debat parlamentar lidhur me dialogun me Serbinë.

Kuvendi i Kosovës tash e disa seanca radhazi ka mungesë kuorumi për votimin e projektligjeve, për shkak se LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë bojkotuar procesin.