Veseli kërkon nga BE të reagojë pas ndalimit të këshilltarit të Haradinajt nga policia serbe

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka reaguar pas ndalimit nga policia serbe, Sërgjan Jovanoviq, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj njëherësh anëtar i Partisë Liberale Serbe të Kosovës, SLS.

Veseli thotë se një veprim i tillë është i papranueshëm dhe synon përndjekjen e serbëve të Kosovës.

“Ndalimi dhe marrja në pyetje nga autoritetet e Serbisë të një zyrtari tjetër të Partisë Liberale Serbe, Sërgjan Jovanoviq e që është edhe anëtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës është veprim i papranueshëm dhe që synon të përndjekë serbët e Kosovës që duan të integrohen në shtetin tonë. Ky është një akt që ka për qëllim nxitjen e urrejtjes dhe pasigurisë tek serbët e Kosovës”, ka shkruar ai.

Ai ka kërkuar nga BE-ja që të reagojë në lidhje me këto veprime të autoriteteve serbe.

“Bashkimi Evropian duhet të reagojë dhe të kërkojë nga Serbia që të ndalë këto veprime provokuese. Këto akte dëshmojnë mungesë të vullnetit të Serbisë për të dialoguar e për t’u pajtuar. Veprime të tilla nuk duhet të përsëriten më”, thotë tutje Veseli.

https://kallxo.com/keshilltari-i-haradinajt-ndalohet-ne-serbi/

www.kallxo.com