Veseli: Gjermania do ta mbështesë Kosovën më të gjitha fushat

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar në Berlin zyrtarë të lartë gjermanë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Kancelarinë Gjermane, ku ka marrë rikonfirmimin se Gjermania do ta mbështesë Republikën e Kosovës në të gjitha fushat.

Në takim me zyrtarin e lartë gjerman, Jan Hecker, kryeparlamentari Veseli ka diskutuar për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe për fazën finale të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Veseli ka marrë mbështetjen e Qeverisë së Gjermanisë për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Gjatë diskutimit për çështjen e dialogut, kryeparlamentari Veseli e ka njoftuar zyrtarin gjerman për përpjekjen e tij prej disa muajsh për të arritur konsensus brenda Kuvendit të Kosovës për nxjerrjen e një rezolute e cila rikonfirmon qëndrimet e shtetit të Kosovës për integritetin territorial dhe pacenueshmërinë e sovranitetit.

Pas takimeve në Kancelarinë Gjermane, kreu i Kuvendit të Kosovës ka takuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, të ngarkuarin për Ballkanin Perëndimor, Christian Hellbach.

Kryeparlamentari Veseli e ka njoftuar diplomatin gjerman për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.

Veseli tha se Kosova ka ndërmarr reformat e nevojshme për procesin e integrimeve evropiane, reformat në ekonomi dhe në fushën e sistemit të drejtësisë.