Kreu i Kuvendit Kadri Veseli pranon raportin e auditimit nga Auditori i Përgjithshëm - Foto: KALLXO.com

Veseli Fton Prokurorinë t’i Shohë Raportet e Auditimit

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është takuar sot me Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmanin.Ky i fundit ia dorëzoi Veselit raportin e auditimit, përfshirë edhe pasqyrat financiare të Kuvendit të Kosovës.Me të marrë raportin, Veseli u bëri thirrje analistëve e qytetarëve që t’i shikojnë këto raporte sepse, sipas tij, paratë janë të taksapaguesve të Kosovës.

Ndërsa Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani njoftoi se për pak ditë do të publikojnë edhe 104 raporte tjera të auditimit për institucione të ndryshme.
Ndërsa Veseli doli me një propozim duke ftuar prokurorinë që t’i shohë këto raporte.“Ftoj Prokurorinë dhe Kryeprokurorin e Shtetit që t’i shohin të gjitha këto raporte dhe kudo që kanë vërejtje të reagojnë”, u shpreh Veseli.

Sipas Osmanit e rëndësishme është që këto institucione t’i marrin parasysh rekomandimet që dalin nga këto raporte, ndërsa Veseli i premtoi që do të bëjnë ndryshime legjislative që këto raporte të jenë sinjal i qartë për institucionet.

Besnik Osmani, i cili ka marrë mandatin para rreth 2 muajsh, ka falënderuar kolegët nga institucioni që ai drejton duke thënë se kanë bërë një punë të gjatë prej gati 1 viti për të dalë me këto të gjetura.

http://kallxo.com/besnik-osmani-zgjedhet-auditor-pergjithshem/