Veseli: Flora Brovina ka gabuar dhe ky gabim do të na kushtojë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se pas iniciativës së tij për Tribunalin Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë, ka pasur mbështetës dhe kundërshtarë.

Përmes konferencës për media, Veseli ka deklaruar se gjurmët e gjenocidit janë në çdo vend në Kosovë dhe se ai nuk e ka bazën tek një fotografi.

“Gjenocidi serb në Kosovë nuk e ka bazën tek një foto, as tek një pëson por tek një politikë shtetërore serbe, e cila ka kryer krime në mënyrë të planifikuar, sistematike, politike, ushtarake dhe policore. Tribunali ndërkombëtar do të themelohet për t’i dënuar krimet e mbi 15 mijë shqiptarëve të vrarë dhe masakruar, në mesin e tyre edhe mbi  1 mijë e 230 mijë fëmijë të vrarë, Vasfijes dhe mijëra grave të dhunuara.”, ka thënë ai.

Kryeparlamentari Veslei gjithashtu ka thënë se Serbia është përgjegjës edhe për dëbimin e dhunshëm të mbi një milion shqiptarëve, shkatërrimin e pasurisë private dhe publike, si dhe pasojave traumatike.

Ai theksoi se këto janë faktet mbi të cilat do të ngritët ky Tribunal dhe se nuk duhet të jetë më i fortë dyshimi se sa e vërteta dhe drejtësia për popullin tonë.

“Zonja Flora Brovina ditën e djeshme ka bërë një gabim të madh, por unë besoj se e ka bërë pa dashje, e them këtë sepse e njoh Florën. Ajo është dashur të konsultohet më herët për atë veprim, por ne duhet të gjithë bashkërisht të nxjerrin mësim nga ky gabim. Ky gabim na tregon se trajtimi i të kaluarës duhet të bëhet me ekspertë të mirëfilltë, që i trajtojnë faktet e krimeve në mënyrë rigoroze dhe të verifikuar.”, ka shtuar tutje.

Ndërkohë, Veseli theksoi se kjo iniciativë nuk do të ndalet edhe pse sipas tij, që nga dita e parë ka pasur goditje dhe etiketime ndaj saj.

Ai përsëri se Tribunali Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovës, është i pashmangshëm dhe do të ndodhë.

“Kriminelët nuk do të mund të flenë kudo që janë, derisa të dënohen për krimet e tyre që i kanë kryer mbi njerëzit tanë. Të hënën Kuvendi do të vazhdoj seancën aty ku ka mbetur dhe do të votohet komisioni shtetëror për dokumentimin e gjenocidit serb në Kosovë, si dhe iniciativa për ngritjen e Tribunalit, do të votohet muzeu i gjenocidit, si dhe muzeu i dëbimit të dhunshëm. Do ta shpallim edhe Ditën e gjenocidit serb në Kosovë.”, ka thënë më tej ai.

I pyetur rreth bisedës që ka zhvilluar me deputeten Flora Brovina para fillimit të seancës, Veseli ka thënë se ajo ka qenë shumë e ngarkuar emocionalisht dhe ka ardhur me një letër të cilën e mbante me fanatizëm.

Ai tha që i ka kërkuar që mos ta lexojë në foltoren e Kuvendit.

“Kur e ka vendosur aty, nuk e kam ditur se mund të jetë e tillë, por i kam thënë se është shumë e rëndë. Do të ishte më mirë sikur të më kishte pyetur, por sidoqoftë nuk është Flora Brovina ajo që duhet të linçohet sot. Ajo është një grua humaniste, që ka pësuar shumë që nga viti 1999. Serbia do të përgjigjet për krimet që i ka kryer në Kosovë, s’ka kush që do ta ndalë këtë.”, ka thënë në fund ai.