Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli - Foto: Facebook

Veseli Flet Rreth Akuzave se Ka Gisht në Vrasjen e Komandant Drinit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja e Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, reagoi ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, për të cilin tha se e ka ofenduar dje dhe kërcënuar sot deputeten Drita Millaku.

“Kjo është e papranueshme, nëse mendon që kjo është rruga që e ke nisë, nuk ta qet as ty e as ne”, tha Molliqaj.

Më pas u kundërpërgjigj kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili tha se ky Kuvend e qytetarët nuk e meritojnë këtë lloj debati që po bëhet.

“Dardan më befasove, bukur fjalor të mirë se ti din edhe ma ndryshe. Është mirë me majtë nivelin”, iu drejtua Veseli Molliqajt.

“Unë asnjëherë në këtë Kuvend, nuk kam fillu ta ngacmoj me vetëdije, po as nuk kom leju që tjetërkush të ngacmohet”, tha Veseli.

“Ka pasë thirrje me na linçu e me na çu në burg, e deri te akuza e djeshme e drejtpërdrejt. Njeri duhet me ditë kur flet, e sidomos kur bënë akuza të drejtpërdrejta. Në Kosovën tonë kanë mund të ndodhin gjëra edhe më të liga. I kanë bo njërit pa besë, pa burra edhe kriminel, po aq të ligë defilojnë dhe munohen me manipulu me çështje të tilla pa pasë fijen e moralit e përgjegjësisë. Mendoni që jeni i zoti dikujt me ia bo me gisht”, tha Veseli, duke pyetur pse nuk i drejtohen organeve institucionale.

“Veç i ligu e i poshtri e fal dikënd që ka bo sherr. Po s’e kisha falë bre kurrë. Po edhe diçka, duhet me ditë që qytetarët nuk janë krejt injorantë e t padijshëm. Çka s’e ki kurrë nuk mund ta ngjet kush, prej se jam fëmijë qito sene kanë ndodhë. Haj dreq i mallkum sa senet”, shtoi Veseli.

Sa i përket vrasjes së komandant Drinit, për të cilin deputetja Drita Millaku e akuzoi presidentin Thaçi dhe Kadri Veselin, ky i fundit tha se e të ndjerin e ka njohur shumë mirë, duke treguar se gjatë vitit 1999 ka qëndruar në maje të malit me të jo një natë, po disa net.

“Kurgjo nuk m’ka bo komandant Drini, se ka qenë nën urdhnat e mija. Ka qenë luftëtar dinjitoz. Ju që folni e s’dini kurgjo. Unë besoj që njerëzit e këqinj ka manipulu shumë në lirinë e Kosovës, po ma i keq është ai që shtin e nxitë konflikt veç me fitu një votë. E marrtë dreqi këtë poltiikë sa na ka turpëru, bash e marrtë dreqi!”, tha Veseli.

Më tej, Kadri Veseli tha se nga janari do të japë nënshkrimet, ai dhe krejt grupi parlamentar, për t’u hetuar të gjitha ngjarjet.

“Kush çka ka ba e bajtë me shnet. Gjykata Speciale është vitin e ardhshëm. Pse s’e bajmë edhe një gjykatë speciale këtu. Unë e inicioj, merrni nënshkrimet, po politikisht mos manipuloni”, tha Veseli.

Ndërsa, deputetja Drita Millaku tha se akuzat që i ka bërë gjatë seancës së djeshme në adresë të Veselit i ka mbështetur në një vendim të prokurorisë të vitit 2003.

Millaku e mbrojti edhe vjehrrin e saj, për të cilin Veseli kishte pretenduar se ishte njeri i UDB-së serbe.

Ajo kujtoi se vjehrri i saj kishte punuar në Polici deri në vitin 1990, kur, sipas saj, e kishte lëshuar vendin e punës duke u solidarizuar me të gjithë kolegët e tij shqiptarë.

Ndërsa, Veseli tha se është hera e parë që dëgjon për rastin që e përmendi Millaku.

Por, në fund, deputetja Millaku sqaroi se në atë vendim për vrasjen e Komandant Drinit nuk përmendet saktë emri Kadri Veseli, por është pseudonimi “Luli”.

KALLXO.com është duke e transmetuar LIVE seancën e sotme të Kuvendit.