Veseli: Është koha ta drejtojmë gishtin kah Serbia dhe të kërkojmë drejtësi

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në fjalën e tij në seancën për masakrën e Dubravës tha se familjarët e viktimave me të drejtë mund të jenë të hidhëruar për mos zbardhjen e masakrave dhe krimeve në përgjithësi.

Veseli shtoi se është koha që Kosova mos të vajtojë, por të marrë përgjegjësi institucionale.

“A është e nevojshme që shteti i Kosovës vetëm të vajtojë apo të japë një mesazh se ne nuk vajtojmë, e të flasim e të sjellim vetëm fakte të cilat janë të dijshme, apo t’i japim një mesazh që ne nuk vajtojmë, ne nuk jemi institut i statistikave mi numëru plagët tona, por veprojmë institucionalitsht edhe kemi mi drejtu orientimet tona po ashtu në atë drejtim”, tha Veseli.

Tutje kreu i Kuvendit tha se është koha që Kosova të kërkojë drejtësi për krimet e kryera nga Serbia.

“Deri më 2015 fotografitë e vëna nga familjarët para Kuvendit kanë qëndruar kot në tela dhe Kuvendi as që është marrë me to. Sot po mundemi të flasim të  identifikojmë dhe është në nderin e institucioneve që ta drejtojmë gishtin kah Serbia dhe të marrim masa që nuk na bëjnë në shoqëri vajtuese e përkujtuese por na bëjnë një shtet veprues”, tha Veseli.

Para 20 vjetësh në Burgun e Dubravës, ishin vrarë e masakruar mbi 150 të burgosur shqiptarë nga ushtria dhe policia serbe, ndërsa 300 të burgosur të tjerë kanë arritur t’i shpëtojnë kësaj masakre.