Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli dhe ish-senatori Bob Dole - Foto: Facebook

Veseli e Quan Hero të Popullit Shqiptar Senatorin Dole

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka uruar ish-senatorin amerikan Bob Dole, i cili është nderuar me çmimin më të lartë civil në ShBA, Medaljen e Artë të Kongresit “për shërbimin ndaj vendit”.

Pasi e ka vlerësuar si njërin ndër miqtë më të mëdhenj të Kosovës, Veseli ka kujtuar angazhimin e senatorit Dole për dekada me radhë në mbështetje të përpjekjeve të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci.

“Bob Dole, ka nisur rezolutën e parë të bërë në Kongresin e SHBA-ve për popullin shqiptar në Jugosllavi në vitin 1986. Në vitin 1990, në kohën e represionit të okupatorëve, ai ka vizituar Kosovën për të parë gjendjen nga afër. duke ndikuar ndjeshëm në ndërkombëtarizimin e çështjes sonë”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në “Facebook”.

Duke e uruar për çmimin e marrë, kreu i Kuvendit ka thënë se Bob Dole është hero jo vetëm për popullin amerikan por edhe për popullin shqiptar.