Veseli e Ismaili përurojnë Ambulantat specialistike të QKUK-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Basri Sejdiu bënë përurimin e objektit të ri të Ambulantave të reja specialistike në QKUK.

Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu tha se ky është një moment tejet i rëndësishëm.

“E dini që më herët ambulancat kanë qenë nëpër bodrume, pacientët endeshin pa marr shërbime kualitative. Qëllimi ynë është ta kemi pacientin në qendër. Këto punime edhe pse kanë nisur më parë, janë realizuar shpejt. Falënderoj të gjithë që kanë kontribuar që të arrijmë rezultate”, u shpreh ai.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, tha se sot në QKUK po shihet një pasqyrë e asaj çfarë duan të shohin në shëndetësinë e Kosovës.

“Sot pe shohim një pasqyrë të asaj çfarë duam ta shohim në shëndetësinë kosovare. Kushtet ka qenë të tmerrshme dhe për pacientët edhe për shërbyesit shëndetësor. Sot është një nivel krejt tjetër i shërbimeve. Përpos qe nuk bredh pacienti lart e poshtë kemi kthim të besimit nga qytetarët tanë. Duke pas një ambulantë si kjo, është model që do ta zgjerojmë edhe në spitale të tjera dhe jo vetëm në QKUK në Prishtinë”, theksoi ministri.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli e vlerësoi punën e bërë në QKUK.

“Nga kjo vizitë, mirë shumë, për vetë faktin që diçka që shihet s’ka nevojë të shtjellohet më tej, por duhet bërë edhe më shumë. Është një nga pjesët ma kryesore në të cilën e kemi obligim ndaj qytetarëve dhe hallegjinjve.  Na takon të bëjmë më shumë. Kemi bërë diçka, por ju ftoj ta përkrahni këtë pjesë të ndryshimit. Megjithatë ende jemi mbrapa shërbimeve që duhet ofruar”, tha kryeparlamentari.

Përurimi i Ambulantave speciastike në QKUK -Foto: KALLXO.com