Kuvendi i Kosovës në ditën kur u votua Qeveria Haradinaj | Foto: Atdhe MUlla

Veseli: Draft Rezoluta është e hapur, mund të shtohen pika tjera

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka mbledhur disa prej përfaqësueseve politikë në Kuvend të Kosovës për të diskutuar në lidhje me draft-rezolutën e propozuar nga partnerët e koalicionit në dialogun Kosovë-Serbi.

Dy partitë më të vogla opozitare, Partia Social Demokrate dhe Alternativa iu kanë përgjigjur pozitivisht këtij takimi, ndërsa LDK-ja dhe Vetëvendosje nuk kanë qenë pjesë e këtij takimi.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, si nikoqir i këtij takimi i falënderoj dy partitë opozitare për pjesëmarrjen, ndërsa i ftoj për konsensus partitë tjera opozitare.

Sipas tij, draft-rezoluta e propozuar nga koalicioni është e hapur për të shtuar gjëra tjera që janë me interes.

“Rezoluta që e kemi propozuar përfshinë gjithçka që pozita dhe opozita ka folur. Rezoluta e propozuar nga partnerët e koalicionit është e hapur në qoftë se ka nevojë të futen edhe gjëra të cilat mund të jenë interes dhe mund të forcojnë ballafaqimin tonë me Serbinë”, tha Veseli në konferencë për media.

Shefi i grupit parlamentar, Dardan Sejdiu tha se PSD-ja do të marrë pjesë në çdo takim të tillë, pa marrë parasysh se kush e fton.

“Ky proces nuk mund të ec përpara pa konsensus. Ky proces nuk mund të ec përpara pa partitë opozitare. E kemi thënë, PSD do të shkojë në çdo takim të thirrur nga pozita e opozita”, tha Dardan Sejdiu në konferencë për media.

Sipas tij, debati mbi dialogun duhet të bëhet në Kuvend të Kosovës e jo në media e në konferenca për media.

“Kërkesa jonë është që ky debat të kthehet në kuvend e jo në konferenca për media e në debate televizive”, tha tutje Sejdiu.