Veseli: Dorëheqja e kryetarëve në veri e ngutshme dhe e dëmshme

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka reaguar pas vendimit për dorëheqje të kryetarëve të komunave serbe në veri.

Ai e ka quajtur vendim të ngutshëm dhe të dëmshëm dorëheqjen e tyre.

“Dorëheqja e katër kryetarëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës është një vendim i ngutur dhe i dëmshëm për qytetarët e këtyre komunave si dhe për klimën e marrëdhënieve mes komuniteteve në Kosovë”, ka shkruar i pari i PDK-së, Veseli.

Qytetarët e këtyre katër komunave janë duke protestuar para gjykatës në veri. Veseli po përmes këtij statusi i ka ftuar qytetarët e veriut që të vetëpërmbahen dhe të reagojnë qetësisht për situatën e krijuar ditëve të fundit.

“Republika e Kosovës është e angazhuar që të respektojë të drejtat dhe interesat e çdo shtetasi të saj, prandaj problemet duhet të zgjidhen në mënyrë të matur dhe vetëm nëpërmjet rrugëve politike dhe dialogut”, ka shkruar ai në mes tjerash.

Veseli ka shtuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të bëjnë maksimumin për të përmirësuar bashkëjetesën ndëretnike në vend.

Pak orë më herët, ish kryeministri, Isa Mustafa ka kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit dhe Qeverisë.

https://kallxo.com/isa-mustafa-per-zhvillimet-ne-veri-sinjal-i-qarte-kah-po-shkon-vendi/

Kryetarët e katër komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan kanë njoftuar se kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre.

Kryetari i dorëhequr i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq është edhe kryetar i Listës Serbe që është partneri i koalicionit Qeverisës, pjesë e se cilës është edhe Kadri Veseli.

Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut sot në mëngjes është thënë se institucionet e Prishtinës nuk vlejnë më në veri.

https://kallxo.com/kryetari-i-asamblese-se-mitrovices-se-veriut-institucionet-e-prishtines-nuk-vlejne-me-ne-veri/

Në protesen që është duke u mbajtur në veri është parë edhe Zvonko Veselinoviq.

 

https://kallxo.com/foto-veselinoviqi-merr-pjese-ne-protesten-ne-veri/