Kadri Veseli duke i dhuruar lule për 8 mars 92 vjeçares, Raba Behrami nga Skënderaj, Foto: Facebook

Veseli i Dhuron Lule për 8 Mars 92 Vjeçares nga Skënderaj

Për 8 mars kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli bashkë me bashkëshorten e tij kanë vizituar Raba Behramin, 92 vjeçare nga fshati Kozhicë i Skenderajt.

“E mbetur pa përkrahjen e burrit që i kishte vdekur shumë herët, nënëlokja megjithatë nuk u mposht asnjëherë. I rriti me mund e sakrifica tre fëmijët e saj, duke shpresuar gjithmonë për një të ardhme me të mirë për ta, por tragjeditë përsëri nuk ju ndanë jetës së saj”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ai më tej ka shpjeguar se në muajin shkurt të vitit 1998, në ditët e parë të luftës në Qirez e Likoshan, ia kanë vrarë djalin e vetëm, të cilin Behrami priste ta martonte në qershorin e atij viti, ndërsa vitin tjetër, kriminelët serbë ia kanë dhunuar dhe ia kanë vrarë mbesën 20 vjeçare.

“Përmes rrëfimit për jetën e saj, flet e gjithë historia e nënave, grave e motrave tona, që krahas padrejtësive ekonomike, bartën mbi supet e tyre edhe vuajtjet nga shtypja e egër politike që ushtrohej mbi burrat e fëmijët e tyre. Flet historia e Kosovës. Ne kurrë nuk do të harrojmë. Ne kurrë s’do të ndalemi që ta bëjmë Kosovën vend me të ardhme të sigurt për fëmijët e saj, për nënat e motrat e tyre”, ka përfunduar Veseli.