Veseli: Atë ditë kur qeveris Uran Ismaili, kjo katrahurë në Prishtinë nuk do të jetë më

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë para strukturave të reja të PDK-së në Prishtinë, se ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili do të jetë kandidati për kryetar të ardhshëm të Prishtinës.

“Prishtina ka nevojë për një kryetar si Uran Ismaili. Prishtina është gjithçka për Kosovën dhe ne duhet bashkërisht të bëjmë më shumë për Prishtinën. Prishtina sot nuk ofron mundësi as për fëmijën për të riun, as për nënat, as për baballarët. Sot, pas 20 viteve vetëm kur ka ardhur Uran Ismaili ministër i Shëndetësisë kemi iniciativën e tij që të ndërtohet Spitali i Prishtinës”, tha Veseli.

Ai tha se qytetarët e Prishtinës që nga paslufta ia kanë dhënë besimin gjithkujt por të gjithë i kanë zhgënjyer dhe tani është koha për një kryetar që e do dhe punon për transformimin e Prishtinës në kryeqytet të mirëfilltë për qytetarët.

“Po ua jap fjalën, atë ditë kur qeverisë Uran Ismaili, kjo katrahurë nuk do të jetë më. Pra, jam i bindur që Urani është zgjidhja e duhur për Prishtinën”, tha Veseli.

Ndërsa, kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili u zotua para strukturave të reja se do të punoj në secilën lagje pa dallim bashkë me qytetarët për ta bërë Prishtinën qytet të zhvilluar, të bukur dhe shembull për të gjithë.

“Prishtina ka nevojë për ndryshim. Krejt çka duhet është me shku me i pa fshatrat dhe qytetarët që migrojnë dhunshëm në Prishtinë. Por ne jemi këtu për një organizim që do të sjell Prishtinën ashtu siç kanë dëshirë ta shohin prishtinasit. Kur ne nuk jemi të organizuar Kosova ngecë. Prishtina ka ngecë në dorën e atyre që e kanë pa vetëm si bazen të votave, kanë krijuar vota vetëm duke e sha PDK-në, por jo tuj kriju vlerë të re për Prishtinën”, tha Ismaili.

Ai i ftoi të gjithë qytetarët e Prishtinës që t’i bashkohen vizionit të tij për ta bërë Prishtinën qytet funksional që u shërben qytetarëve të të gjitha moshave.