Kadri Veseli e Adem Demaçi më 17 shkurt 2018 - Foto: Facebook/KadriVeseli

Veseli: Adem Demaçi do të rrojë derisa të ekzistojë ky popull

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar pas lajmit për vdekjen e simbolit të rezistencës së popullit të Kosovës, Adem Demaçit.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Veseli e ka quajtur Demaçin hero të Kosovës si dhe frymëzim dhe krenari të popullit të Kosovës.

Kreu i Kuvendit ka kujtuar ditën e 17 shkurtit të këtij viti kur e kishte vizituar Adem Demaçin për ta uruar për përvjetorin e 10-të të pavarësisë.

Veseli tha se e kishin lënë të takoheshin sërish, në Kuvendin e Kosovës, por fati nuk e deshi që ai të vinte.

Ky është postimi i plotë i Veselit:

“Me 17 shkurt të këtij viti, isha për vizite të Baca Adem për t’ia uruar përvjetorin e 10-të pavarësisë. Ndonëse i sëmurë, në asnjë moment nuk tregoi shenja dobësimi. I fortë dhe plot vullnet si gjithmonë. E patëm lënë të takoheshim sërish, por kësaj here në Kuvendin e Kosovës. Fati nuk e deshi që ai të vinte. Por, Adem Demaçi do të rrojë me ne, derisa të ekzistojë edhe ky popull, për lirinë e të cilit ai barti mbi supe vuajtjet dhe përpjekjet më të mëdha.

Jo vetëm Kosova, por mbarë kombi shqiptar është i tronditur sot nga humbja e një ndër bijve më të shquar. Me kurajën, sakrificën dhe atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai u bë simbol i rezistencës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri e barazi në trojet e veta.

Vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë.

Lamtumirë Adem Demaçi, heroi i Kosovës, frymëzimi dhe krenaria jonë.

Ngushëllime, Kosovë.”

Adem Demaçi ka ndërruar jetë sot në moshën 82-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e Demaçit e dha nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.

https://kallxo.com/vdes-adem-demaci/

Pas këtij lajmi, deputetët mbajtën një minutë heshtje dhe më pas e ndërprenë seancën.