Veseli: 20 vjet më parë e shpëtuat një komb

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në ceremoninë qendrore për 20 vjetorin e çlirimit, tha se sot po festohet duke pasur të pranishëm miqtë më të mirë të Kosovës, ish-presidentin e SHBA-së, Bill Clinton, ish-sekretaren Albrght e gjeneralin Clark.

Ai shtoi se bota perëndimore në krye me SHBA-të para dy dekadash shpëtuan kombin shqiptar.

“Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë. Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar. Prindërit e pashpresë dhe të tmerruar. Nënat, gratë, vajzat e pambrojtura. Një popull të tërë nga gjenocidi. Dhe, mbi të gjitha, i dhatë kuptim vlerave njerëzore, për të treguar se askush, asnjëherë, nuk do të shtypet, nëpërkëmbet dhe rrezikohet vetëm pse tjetri mund ta bëjë këtë dhe është më i fortë. Garant i këtij humanizmi qëndron gjithmonë vendi i lirisë dhe demokracisë në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Veseli.

Kryeparlamentari theksoi se liria e Kosovës është meritë e dëshmorëve të UÇK-së dhe ndihmës së madhe të SHBA-së.