Gjykimi për vrasjen e policit Shemsi Gashi. Foto: Kallxo.com

Vesel Gjinovci i Penduar, Tregon Planin për Vrasjen e Policit Shemsi Gashi

Në ri-hapjen e gjykimit për vrasjen e rreshterit Shemsi Gashi, u dëgjua i akuzuari Vesel Gjinovci i cili e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e rreshterit gjatë shqyrtimit fillestar.

Por pas fjalës përfundimtare, gjykata ka vendosur që ta hapë përsëri shqyrtimin gjyqësor pasi që, sipas kryetares së trupit gjykues Valbona Selimi, në fjalën përfundimtare të të akuzuarit Vesel Gjinovci trupi gjykues ka vërejtur se janë paraqitur disa paqartësi.

Në lidhje me këto paqartësi trupi gjykues kishte vendosur që të revokohet aktvendimi mbi pranimin e fajësisë së të akuzuarit Vesel Gjinovci.

“Trupi gjykues merr aktvendim (që të) revokohet aktvendimi mbi pranimin e fajësisë për të akuzuarin Vesel Gjinovci, dhe i njëjti do të ftohet për t’u dëgjuar para trupit gjykues duke ua dhënë mundësinë edhe palëve të tjera në parashtrimin e pyetjeve në mbrojtjen e tij. Aktvendimi i cili është marrë nga ana e gjykatës është aktvendim procedural ndaj të cilit palët kanë të drejtë ankese së bashku me vendimin përfundimtar të gjykatës-aktgjykimin”, deklaroi kryetarja e trupit gjykues.

Ndonëse pati reagime nga avokatët e të akuzuarve të cilët këtë vendim të marrë nga gjykata e konsideruan në kundërshtim me dispozitat ligjore, trupi gjykues vazhdoi me dëgjimin e të akuzuarit.

Rreshteri Shemsi Gashi u vra mëngjesin e 25 marsit 2015 rrugës për në zyrën e tij.

Hetimet e Prokurorisë së Prishtinës kanë përjashtuar mundësinë që vrasja të ketë motiv punën të cilën Gashi e kishte kryer në Policinë e Kosovës.

http://kallxo.com/gjykata-nuk-vendos-per-te-akuzuarit-per-vrasjen-e-rreshterit-policor/

Gashi u vra në lagjen “Mati” të Prishtinës.

Ramadan Gashi, Muja Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku akuzohen për planifikimin e vrasjes së Shemsi Gashit, ndërsa për vrasjen e tij ngarkohen Vesel Gjinovci e Kujtim Bejiqi.

Vesel Gjinovci, njëri nga të akuzuarit në një nga seancat e kaluara e ka pranuar fajësinë për këtë vrasje si dhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, për vrasjen e Gashit, Vesel Gjinovcit e Kujtim Bejiqit u ishin premtuar 5 mijë euro.

Gjatë dëshmisë së tij në seancën e sotme, Vesel Gjinovci tregoi se si kishin ardhur deri te plani për vrasjen e rreshterit Shemsi Gashi, kush e kishte angazhuar dhe çfarë kishte ndodhur më pas.

Gjinovci para trupit gjykues tha se fillimisht ishte takuar me Adonis e Robert Gashin. Në atë takim, Gjinovci tha se Adonis Gashi i kishte treguar për një problem që e kishin me një fqinj të tyre dhe e kishte pyetur se mos di ku ta gjejë dikë për ta gjuajtur.

Më pas tha se në takim është bashkangjitur edhe Ramadan Gashi, të cilin tha se e kishte takuar për herë të parë dhe se pasi që ishin përshëndetur ai i ka thënë se i kishte treguar Adonisi që “kemi biseduar me të në lidhje problemin”.

http://kallxo.com/deshmitari-rreshterit-cuan-fjale-se-nuk-ta-gezoje-token/

Vesel Gjinovci tha se Ramadan Gashi i kishte thënë hajde ta tregojë atë personin sepse tash e ka orarin kur kthehet prej punës.

“Ramadani më tha qe qeky osht, më tha duhet me e kry ketë punë gjithsesi, dilni gjune. Mua më tha me dal me e gjuajt, këtë punë tha e din veç ti, me bo me fol a nojsend dije që duhet me e gjet dikë tjetër për ty”, tha Vesel Gjinovci t’i ketë thënë Ramadan Gashi.

Pastaj ai tha se ishte takuar me shokun e tij, Kujtimin, të cilit i kishte treguar çdo gjë për rastin dhe ai i kishte thënë se nuk do ta lërë vetëm.

“Kujtimin e kam shok të fëmijërisë, kemi qenë të çeltë me njëri tjetrin s’kemi majt msheft kurgjo. I kom kallxu krejt prej fillimit, ai ka pranu ka thanë unë vi me ty bashkë, pastaj kena fole. Ma nuk jemi taku as me Ramadanin e me asnjë, me Ramadanin jam takuar vetëm një natë para se me ndodh rasti”, shtoi më tej i akuzuari.

http://kallxo.com/gruaja-e-policit-te-vrare-flet-per-kercenimet-para-vrasjes/

Para kryerjes së aktit të vrasjes i akuzuari tha se me Vesel Bunjakun janë takuar gjatë gjithë kohës, dhe nëse kanë pasur ndonjë porosi Ramadani, Adonisi apo Roberti atë ja kanë thënë përmes Vesel Bunjakut.

“Gjatë kësaj periudhe kohore me Veselin jam takuar non-stop. Me Adonisin dhe Robertin jam takuar një natë para se të ndodh rastin kur e ka thirr Vesel Bunjakun”.

http://kallxo.com/prokuroria-per-vrasjen-e-policit-u-premtuan-5-mije-euro/

Përmes Veselit tha se i kanë ushtruar edhe presion duke e kërcënuar.

“Përmes tij më kanë qu fjalë, ruju mos po fol me nojkon se tani duhet me e gjet nojkon tjetër për ty apo nojkon tëndin”.

Një natë para vrasjes, dëshmitari tha se është takuar me Vesel Bunjakun dhe se më pas kishte ardhur Ramadan Gashi i cili ja kishte dhënë një pistoletë dhe i kishte thënë se punën duhet ta kryenin gjithsesi nesër në të kundërtën do ta gjente dikë tjetër për ta.

“Rama më tha ‘kqyr, punën duhet me e kry gjithqysh nesër’. Që se kryni tha kom me e gjet tjetër kond për juve, i thash qysh me e kry Ramë i thash as nuk kemi armë as send, tha për armë e nxjerri armën nga beli ma ka ofru që merrne veç puna duhet me u kry gjithqysh nesër”, deklaroi t’i ketë thënë atij, Ramadan Gashi.

“Pastaj kemi vazhdu e kemi marrë Kujtim Bejiqin te shpia, ka hyp ai në veturë, ato fjalë që mi tha mu Veseli ja përsëriti edhe Kujtimit, tha nesër duhet me u kry puna gjithqysh ju dy e dini këtë punë, me bo mos me e kry e gjojn dikë tjetër për juve me bo me kallxu e gjejnë tjetër kënd për juve dhe s’bon me i kallxu kërkujt”, tha të ju ketë thënë Vesel Bunjaku.

Po atë natë i akuzuari deklaroi se së bashku me Kujtimin dhe Veselin kishin shkuar në shtëpinë e Din Veselit ku kishin qëndruar gjatë gjithë natës, e pastaj rreth mëngjesit i kishin thënë se kanë punë dhe duhet që të shkojnë. Më pas tha se Vesel Bunjaku i kishte dërguar në shtëpi të tij, me ç’rast ai kishte hyrë dhe i kishte marrë “një duks dhe një kapele” dhe ia kishte dhënë Vesel Gjinovcit e i kishte thënë “veshi këto”, i kishte dërguar afër shkollës në Matiqan dhe u kishte thënë “qe ky osht”. Pastaj Kujtimi e Vesel Gjinovci kishin zbritur nga vetura kurse Vesel Bunjaku ishte nisur me veturë që t’i priste nga ana tjetër.

http://kallxo.com/deshmitari-rreshterit-percolla-porosine-e-kercenimit-vrasje/

Tutje i akuzuari përshkroi momentin e vrasjes.

“Kam shtënë në drejtim të personit, në drejtim të këmbëve njëherë pastaj personi ka tentuar për ta nxjerrë alltinë edhe si ka tentuar ai me e nxjerrë alltinë i kam thënë Kujtim Bejiqit ‘ik se na vrajti’. Unë tu u largu përmas tu gjuajt jam kthy dhe ja kemi nis me vrapu një rrugë teposhtë. Kujtimi më tha nuk e ke rrok ngase personi ishte në këmbë, ne nuk e pamë tu u rrëzu, unë i thash ik”.

I akuzuari tha se pastaj Vesel Bunjaku i kishte treguar që Shemsi Gashi kishte vdekur.

Ai tha se është arrestuar nga Policia më 27 Mars të vitit 2015 derisa ishte në gjumë.

Për ta kryer vrasjen, Vesel Gjinovci tha se fillimisht Ramadan Gashi i kishte premtuar 5,000 euro por tha se asnjëherë nuk i ka marrë ato para.

Në fund dëshmitari i kërkoi falje familjes së të ndjerit dhe tha se pendohet thellë për vrasjen e kryer dhe se po të ishte në këtë moshë që është sot asnjëherë nuk do ta kryente këtë vepër penale.

“Kam qenë i moshës së re nuk kemi menduar, kam qenë fëmijë 18 vjeç. Tepër jam penduar. Ne kemi qenë fëmijë, ka qenë e lehtë me e shti një fëmijë, nuk kemi ditë çka bohet. Jam penduar shumë për këtë që ka ndodhë. Sikur të kisha qenë sot nuk kish ndodh kurrë më vjen keq i kërkoj falje edhe palës së dëmtuar”, tha në fund Vesel Gjinovci, i akuzuar për vrasjen e rreshterit Shemsi Gashi,.

http://kallxo.com/vrasja-e-oficerit-te-policise-jepet-fjala-perfundimtare/