Vërshimet në Suharekë, qytetarët strehohen në palestrën e sporteve

Suhareka deri në orët e para të mëngjesit u përball me vërshime nga reshjet e shiut.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka njoftuar për gjendjen e vështirë të disa fshatrave nga vërshimet e ujit.

Fshatrat e prekura janë Tërrnje, Leshan, Gjinoc e shumë fshatra tjera, ka njoftuar kryetari i komunës.

Ai tha se vërshimet e ujit nga shiu i kanë shkaktuar shumë probleme shtëpive.

Muharremaj ka kërkuar ndihmë edhe nga ekipet emergjente të Prizrenit.

“Duke pasur problem komunikimin, bëj thirrje që ekipet emergjente nga Regjioni i Prizrenit të na ndihmojnë në tejkalimin e kësaj situate të vështirë nga vërshimi i ujit. Qyteti është bllokuar nga uji, ndërkohë në shumë fshatra ka dëme materiale. Me ndihmën e Zotit, duke qenë bashkë njëri-tjetrit shoresojmë ta tejkalojmë këtë sfidë bashkë”, ka shkruar Bali Muharremaj në llogarinë e tij “Facebook”.

Shumë shtëpi mbrëmë në Suharekë janë vërshuar nga uji deri në katet e para, shkruan rtv21.tv.

Ai pas mesnate ka njoftuar se është hapur palestra sportive “13 Qershori” në Suharekë për ata që kanë nevojë të strehohen deri në ndaljen e rreshjeve të shiut.

Kryetari i Suharekës rreth orës 03:00 pas mesnate tha se situata po vështirësohet edhe më tutje duke pasur problem edhe në disa lagje në qytetin e Suharekës.

“Lumi “Toplluha” thuajse po del nga shtrati i tij duke rrezikuar edhe banorët. Unë dhe ekipe tjera emergjente jemi në teren, duke shikuar mundësinë që të dalim nga kjo situatë alarmante”, ka njoftuar Muharremaj.