Vërshimet në Mitrovicë - Foto: Facebook/AgimBahtiri

Vërshimet në Mitrovicë, Situata nën Kontroll

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, kanë vizituar sot vendet e vërshuara nga lumi Sitnica, i cili për shkak të reshjeve të mëdha ka dalë nga shtrati.

Sipas drejtorit Musa Dragaj, edhe pse ka pasur vërshime të tokave bujqësore dhe të disa rrugëve situata nuk është shqetësuese.

“Vërshimet janë evidentuar në fshatin Lisicë dhe Frashër. Dëmet e deritashme nuk janë të mëdha, por ato mund të jenë më të mëdha pasi që në disa vende po vazhdojnë përmbytjet”, ka thënë Dragaj.

Sipas njoftimit të Komunës së Mitrovicës operatori i kontraktuar nga Komuna për situata emergjente dhe ekipet tjera komunale kanë monitoruar situatën dhe nuk ka pasur nevojë për evakuim të asnjë familjeje, edhe pse uji ka rrezikuar disa shtëpi.