Gjykimi për grabitje - Foto: KALLXO.com

Vendosin barrikadë në rrugë dhe kryejnë grabitje të armatosur

Bislim Miftari dhe Faton Peci, të cilët akuzohen për grabitje, pritet që sot të përballen me vendimin e Gjykatës për akuzat që ju vihen në barrë.

Ata po akuzohen për një grabitje që kishte ndodhur në vitin 2005, të njëjtit e kanë pranuar fajësinë për akuzat që u vihen në barrë nga Prokuroria e Shtetit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, dy të akuzuarit në vitin 2005, kishin kryer grabitje të armatosur.

Fillimisht siç përshkruhet në dosjen e Prokurorisë, Miftari e Peci në vendin e quajtur “Lama e Rizahit“, duke përdorur dhunë e kanosje me armë kanë grabitur  të dëmtuarin B.U.

Dy të akuzuarit sipas aktakuzës, kishin vënë disa barrikada me gurë, ndërsa më pas i pandehuri Miftari, i maskuar dhe i armatosur me pushkë gjysmë-automatike e kishte ndalur automjetin e të dëmtuarit B.U., ndërsa i akuzuari Faton Peci kishte bërë roje.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Miftari ju kishte afruar automjetit dhe me përdorimin e dhunës dhe kanosjes me armë të dëmtuarin e kishte detyruar nën kërcenim të armës të hapte derën e automjetit, e kishte urdhëruar të dilte nga automjeti, duke i thënë se “krejt çka ke me veti vendosi në tokë”.

Sipas akuzës, i dëmtuari ishte detyruar t’ia japë 600 euro dhe dy telefona mobil të markës “Nokia “ në vlerë prej 100 euro.

Dy të akuzuarit sipas dosjes së Prokurorisë pasi që e kishin grabitur të dëmtuarin, e kishin urdhëruar të vazhdonte rrugën në drejtim të fshatit Melenicë dhe të mos ndalej.

Prokurori Naim Beka ka kërkuar që me rastin e shqiptimit të dënimit për të pandehurit Gjykata t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese, ku si rrethanë lehtësuese ka përmendur pranimin e fajësisë dhe se nga koha e kryerjes së veprës penale kanë kaluar rreth 13 – 14 vjet.

Trupi gjykues pritet që sot të shpallë aktgjykimin ndaj dy të akuzuarve për grabitje.