Ndotja e ajrit Prishtine, 30 janar 2018 - Foto: Atdhe Mulla

Vendosen Masat për Luftimin e Ndotjes së Ajrit

Ministrat dhe zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës sot janë mbledhur së bashku si një “task forcë” për të diskutuar në parandalimin e ndotjes së ajrit në Kosovë, gjendje kjo e cila ishte përkeqësuar gjatë stinës së dimrit sidomos në qytetin e Prishtinës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës.

Nikoqirja e këtij takimi, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj tha se sot është diskutuar për angazhimin e secilit dikaster ministror në përmbushjen e obligimeve ligjore për të parandaluar ndotjen e ajrit në Kosovë.

Reshitaj tha se shumë shpejt do të ketë veprime konkrete nga secila ministri që sipas saj këto veprime do të jenë në dobi të qytetarëve të Kosovës.

“Veprim konkret në këtë rast është vendimi që Ministria e Zhvillimit Ekonomik po merr në ndërprerjen e dhënies dhe faljes së afro  600 mijë tonë thëngjill të 5 mijë e 200 punëtorët e KEK-ut. Mendoj që është një vendim i qëlluar dhe jem një sinjal që është duke u punuar në uljen e përdorimit të thëngjillit në këtë rast nga ekonomitë familjare dhe bizneset e vogla”, tha Reshitaj.

Ministrja tha se veprim tjetër është edhe ndalimi i përdorimit të thëngjillit si lëndë djegëse në të gjitha shkollat e Kosovës.

“Gjithashtu veprim konkret është që po përgatitë Ministria e Arsimit për të implementuar udhëzim që në kurrikulat shkollore të ketë një hapësirës më të madhe të promovimit dhe informacionit për mjedisin dhe ruajtjen e cilësisë së ajrit në gjithë Republikën e Kosovës. Gjithashtu në përgatitje të vendimit për ndërprerjen e thëngjillit në të gjitha shkollat që e përdorin si lëndë djegëse”, tha Reshitaj.

Reshitaj tregoi se shumë shpejt pjesë e veprimit të kësaj “task force” është edhe krijimi i Policisë së Gjelbër, funksionalizimi i gjobave mandatore, hulumtimet mbi pasojat e ndotjes së ajrit tek qytetarët, zgjerimi në rrjetin e K-gjenerimit dhe investimi në filtra e termocentraleve.

E ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se ky institucion do të dal me iniciativa të posaçme për qytetin e Prishtinës për shkak se sipas tij kryeqyteti është ballafaquar me ndotje të lartë të ambientit.

“Kemi filluar më herë dhe natyrisht këtu presim edhe bashkëpunimin e qeverisë lokale në Prishtinë ngaqë duhet t’i bashkërendojmë aktivitetet. Është një proces i gjatë që kërkon iniciativa të shumta  dhe që ne e kemi filluar dhe që do të shohim rezultatet të prekshme në muajt dhe vitet e ardhshme”, tha Ismaili.

Ministrja e Mjedisit  paralajmëroi që pas këtyre veprimeve, kjo “task forcë” ndërministrore do të ketë edhe takime të tjera.