Kështu do të dukej Stadiumi Kombëtar sipas Presidentit Hashim Thaçi – Foto: Facebook

Vendimi qe 26 Muaj, Procedurat për Stadiumin Askund

Pas pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në organizatat prestigjioze FIFA e UEFA, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kishte shkruar në profilin e tij në “Facebook” një status ku e specifikonte nevojën e Kosovës për një stadium të ri me standarde evropiane, me kapacitet prej 30 mijë ulësesh, status të cilin e kishte shoqëruar edhe me një fotografi të stadiumit potencial.

Mirëpo, për ndërtimin e këtij stadiumi, Qeveria e Kosovës në kohën kur drejtohej nga Hashim Thaçi kishte marrë një vendim.

Në mbledhjen e 18 marsit 2014 Qeveria kishte marrë vendim, sipas të cilit obligohej Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve së bashku me Ministria e Financave që të fillojnë procedurat për shpalljen e një konkursi ndërkombëtar për ndërtimin e këtij stadiumi.

Ky vendim është i shoqëruar edhe me nënshkrimin e tij.

Madje, ish-Kryeministri Thaçi ishte përkujdesur që po atë ditë t’i njoftojë edhe ndjekësit e tij në “Facebook” rreth vendimit të Qeverisë.

Ai publikoi disa fotografi në të cilat reklamohej stadiumi i ri, i njëjtë me fotografinë që e publikoi para pak ditësh.

Kryeministri i atëhershëm kërkonte prej ndjekësve të tij që t’i bënin “Share” nëse pajtoheshin më nismën për stadiumin e ri.

Stadiumi

E interesimit të KALLXO.com për të kuptuar më shumë rreth asaj se çfarë ka ndodhur me vendimin e Qeverisë, në një përgjigje me shkrim Ministria e Financave thotë se me MKRS-në për momentin janë të interesuar të rregullojnë stadiumet ekzistuese, e krejt pastaj të fillojnë me projekte të reja.
“Ministria e Financave në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në proceset e rregullta buxhetore dhe planifikimet afatmesme është orientuar që fillimisht të bëj modernizimin e infrastrukturës sportive ekzistuese dhe në periudhën afat-mesme të filloj me futjen në procese të rregullta buxhetore të projekteve të reja për qëllime sportive”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Mirëpo krejt përgjigje tjetër japin në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Sipas tyre janë vetëm disa procedura që duhet kryer para shpalljes së konkursit ndërkombëtar.

Madje, MKRS-ja ka vendosur edhe për lokacionin e stadiumit, që do të jetë në fshatin Bërnicë.

“Po presim të qartësojmë disa çështje me Komunën e Prishtinës, që lidhen me letrat poseduese. Lënda është në Ministri të Ambientit dhe kur të përfundojnë gjitha procedurat, MKRS-ja do të vazhdojë hapat tjerë për ndërtimin e Stadiumit Nacional”, thuhet në përgjigjen zyrtare të kësaj Ministrie.

Ndërsa burime të KALLXO.com brenda Ministrisë së Sporteve thonë se që edhe pse vendimi i Qeverisë për ndërtimin e stadiumit është marrë në mars të vitit 2014, procedurat kanë nisur vetëm në shtator të 2015.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje edhe Zyrës së Presidentit Hashim Thaçi në lidhje me statusin e tij të para disa ditëve si dhe për vendimin që është marrë në kohën kur ky i fundit drejtonte Qeverinë mirëpo përgjigje nuk ka marrë.

Në anën tjetër, Federata e Futbollit të Kosovës është në pritje të vendimit të institucioneve të UEFA-s për të marrë konfirmimin se në cilin grup do të garojë përfaqësuesja kosovare e futbollit në kualifikimet për kampionatin botëror, Rusia 2018. E mungesa e një stadiumi modern do t’i jepte imazh të keq futbollit vendor.

Ndërkohë ndeshjet e deritanishme miqësore të përfaqësueses së Kosovës janë zhvilluar në stadiumin “Adem Jashari” dhe në atë të kryeqytetit.

http://kallxo.com/kosova-pranohet-ne-fifa/

http://kallxo.com/kosova-pranohet-ne-uefa/