Vendimi i Ymer Hoxhës: Tunë Kqirra do vazhdoj të gjykohet nga Xheladin Osmani
Kryetari i Gjykatës së Prizrenit, Ymer Hoxha, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e prokurores së Prokurorisë Speciale, Merita Bina- Rugova dhe avokatit Tomë Gashi, për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Xheladin Osmani, në rastin grupit të Tunë Kqirajt, i akuzuar për fajde dhe vepra të tjera të rënda penale.
Kërkesa për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues ishte bërë më 21 shkurt.
Në vendimin e tij, gjykatësi Ymer Hoxha, ka kërkuar që gjykimi të vazhdojë tutje.
Prokurorja konsideronte se gjyqtari Xheladin Osmani nuk po e udhëheq shqyrtimin kryesor në mënyrë objektive dhe të paanshme.
“U ba si n’pazar këtu”, kishte thënë prokurorja Merita Bina – Rugova me ironi në seancën e 21 shkurtit kur kishte kërkuar ndërprerjen e gjykimit.
Ajo madje kishte kërkuar edhe video dhe audio-incizimet që i janë bërë seancave të rigjykimit, të cilat do t’i bashkëngjet si prova në kërkesën e saj për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues.
Avokati Tomë Gashi kishte mbështetur prokuroren.
Sipas tij kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani nuk është i paanshëm në raport me palët dhe në raste të caktuar e bën të pamundshme kryerjen e detyrës ligjore të prokurores.
Këto pretendime ashpër I kishte kundërshtuar avokatja Kosovare Kelmendi.
Sipas avokates, prokurorja pa arsye vazhdonte të përsëriste kërkesën e saj për përjashtim. “Unë si mbrojtëse ju rikujtoj se ekziston edhe një interes tjetër këtu – që janë të akuzuarit, gjykimi i të cilëve po zvarritet vite me radhë, dhe të njëjtit janë duke pësuar dëme materiale e jomateriale”, kishte thënë Kelmendi.
Avokatja kishte deklaruar se këto dëme janë të pariparueshme dhe të pakompensueshme për ta. “Është edhe në interes të të akuzuarve dhe të palës së dëmtuar që ky proces të përfundojë me një vendim të formës së prerë”, kishte shtuar avokatja Kelmendi.
Pasi që kërkesa e prokurores Merita Bina – Rugova është refuzuar, gjykimi ka vazhduar në rrjedhën normale, por kësaj here pa shumë kundërshtime e ngritje të zërit dhe pa fjalosje ndërmjet prokurores e kryetarit të trupit gjykues. Seanca vazhdoi e qetë për dallim nga disa seanca të kaluara të rigjykimit.
Dy dëshmitarë Fitore Berisha e Leonard Tushi, u paraqitën për t’u përgjigjur në pyetjet e prokurores Merita Bina – Rugova, e dy dëshmitarë tjerë, Avdi Zukaj dhe Nrec Qollaku, munguan.
Kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani tha se disa nga dëshmitarët që gjyqtari po u dërgon ftesa për t’u paraqitur në Gjykatë, nuk po paraqiten, sepse sipas konstatimeve në ftesa nga ta janë jashtë Kosovës e njëri nga dëshmitarët është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Prokurorja tha që pasi që të dëgjohen dëshmitarët që paraqiten në Gjykatë, ata që janë të paarritshëm atëherë deklaratat e tyre do të lexohen në pamundësi të zgjidhjeve tjera.
Seancat e radhës u caktuan me datat 23 dhe 24 maj, ku do të dërgohen ftesa tjera dhe të ftohet përsëri dëshmitarë që kanë deklaruar më parë gjatë gjykimit.
Në shkurt të vitit 2018, Gjykata e Prizrenit kishte shpallur aktgjykimin ndaj grupit të të dyshuarve për fajde e detyrim në Prizren.
https://kallxo.com/gjykata-denon-10-persona-per-fajde-e-detyrim-ne-grupin-e-kqirajve/
I akuzuari kryesor në këtë rast, Tunë Kqira ishte dënuar me 2 vjet e 3 muaj burg; Kastriot Kqira me 3 vjet burg, Gjon Kqira me 2 vjet e 6 muaj, Gjekson Kqira me 5 muaj, Gëzim Kqira me 5 muaj, Benson Buza me 2 vjet e 6 muaj, Besfort Omaj me 2 vjet e 5 muaj, Zyrafete Hukolli me 6 muaj, Ekrem Leci me 6 muaj, Hil Kaqinari me 6 muaj ndërsa dy të akuzuarit tjerë Ragip Fazlija dhe Sejfë Kaqorraj janë liruar nga akuzat, raporton KALLXO.com.
Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, gjatë shpallës së aktgjykimit kishte thënë se se Tunë dhe Gjon Kqira shpallen të pafajshëm në veprën penale të detyrimit ndërsa Kastriot Kqira e Besfort Omaj janë shpallur fajtorë për këtë vepër.
Rreth 4 muaj më vonë Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.
https://kallxo.com/rasti-i-fajdeve-ndaj-kqirajve-apeli-anulon-vendimin/
Sipas Gjykatës së Apelit kanë qenë mungesat elementare në aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit që kanë rikthyer rastin në rigjykim.
Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e Prizrenit sepse ka gjetur mungesa esenciale që duhet t’i përmbajë një aktgjykim.
https://kallxo.com/rasti-kqiraj-mungesat-elementare-qe-e-anuluan-aktgjykimin-e-fajdeve/
Ky rast është rast i shënjestruar për liberalizim vizash.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza, e Besfort Omaj kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.
Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde.
Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.
Me tensione, vërejtje e kundërshtime të shumta ishin përshkuar seancat e kaluara që nga nëntori kur ka filluar rigjykimi për fajde të grupit të Tunë Kqirës në Gjykatën e Prizrenit.