Arban Abrashi e Shpend Ahmeti - Foto: KALLXO.com

Vendimi i Kushtetueses: Shpend Ahmeti përfundimisht mbetet kryetar i Prishtinës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës iaa ka konfirmuar Shpend Ahmetit pozitën e kryetarit të Komunës së Prishtinës.

Që nga dhjetori i vitit 2017, e deri në shkurt të 2019, rezultatet e zgjedhjeve lokale për kryeqytetin janë sjellë nëpër gjykatat e Kosovës.

Në aktvendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit i ka konfirmuar vendimet e marra nga Gjykata Supreme, që i ka vlerësuar të papranueshme ankesat e kandidatit të LDK-së, Arban Abrashit.

“Gjykata njëzëri konstatoi se vendimet e kontestuara të Gjykatës Supreme, nuk kanë shkelur të drejtat e parashtruesve të kërkesës për mbrojtje gjyqësore të të drejtave të garantuara me nenin 54 të Kushtetutës dhe të drejtën për mjet juridik të garantuar me nenin 32 të Kushtetutës në lidhje me të drejtën për zgjidhje efektive të garantuar me nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), sepse në rrethanat e rastit konkret, Gjykata Supreme, drejtë kishte vlerësuar çështjet që ndërlidhen me: (i) konfirmimin/anulimin e rezultatit zgjedhor; (ii) shpalljen e pasaftshme të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës që ndërlidheshin me parregullsitë në ditën e votimit, e të cilat ishin paraqitur për herë të parë në PZAP, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar; dhe (iii) fletëvotimet e pavlefshme dhe të zbrazëta, pasi PZAP-i kishte hetuar materialin zgjedhor në qendrat e kontestuara të votimit dhe kishte konstatuar se parregullsitë nuk “kanë ndikim në rezultatin final””, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata po ashtu, njëzëri, refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesve të kërkesës për seancë dëgjimore sepse nuk konsideroi se kishte ndonjë paqartësi rreth “provave apo ligjit”. Gjykata konstatoi se dokumentet e përfshira në kërkesë janë të mjaftueshme për të vendosur meritat e këtij rasti”, thuhet tutje në këtë aktvendim.

Këtu mund ta gjeni aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese