Vendimi i gjykatës për djalin e ish -gjyqtares së Gjykatës Supreme

Armend Agani, djali i ish-gjyqtares së Gjykatës Supreme, Shadane Agani, do të paraqitet në stacion policor çdo të hënë gjatë muajit të ardhshëm.

Kjo pas vendimit që mori Gjykata e Prishtinës si masë të sigurisë ndaj Aganit dhe Ljilijana Smiliq për shkak se po dyshohen që së bashku kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, dhe kanë kryer veprat e mashtrimit si dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.

Agani gjatë seancës dëgjimore për masë të sigurisë e përmendi se është djali i ish-gjyqtares së Gjykatës Supreme.

Dy të pandehurit po dyshohen së me anë të paraqitjes së fakteve të rreme e kanë licencuar klinikën e tyre “BEL MEDICINTERNACIONAL”, repartin e stomatologjisë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Njëkohësisht ata dyshohen se me këto veprime e kanë vënë në lajthitje Ministrinë e Shëndetësisë për ta licencuar kliniken e tyre.

Me këtë rast Gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj djalit të ish- gjyqtares së Gjykatës Supreme të Kosovës, Shadane Agani i cili njëherit është edhe djali i xhaxhait të  ish- Ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani.

Gjatë seancës dëgjimore Armend Agani dhe Ljiljana Smiliq e kundërshtuan kërkesën e prokurorisë.

Sipas prokurorisë për ta licencuar repartin në fjalë ata e kanë shfrytëzuar pozitën e tyre si persona zyrtarë dhe lidhur me këtë ata po dyshohen edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjykata pasi ka vlerësuar pretendimet e prokurorisë, ka vlerësuar se masa e paraqitjes në stacionin policor është masë adekuate për të siguruar prezencën e tyre në procedurat gjyqësore.

KALLXO.com, ka raportuar për momentin e arrestimit të Armend Aganit djalit të ish- gjyqtares së Gjykatës Supreme Shadane Agani

https://kallxo.com/djali-i-xhaxhait-te-ferid-aganit-eshte-arrestuar-nga-krimet-ekonomike/