Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Vendimi i Gjykatës: Një muaj paraburgim për zëvendësministrin e AAK-së

Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për tre të dyshuarit e arrestuar dje.

Në mesin e të arrestuarve është edhe zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Musa Cena.

Lajmin për vendimin e Gjykatës për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Në një njoftim, Gjykata e Prishtinës thekson se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve M.C., N.Sh. dhe H.Sh. për shkak se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – marrje e ryshfetit dhe veprën penale – keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit, ndërsa i pandehuri  H.Sh. ka kryer veprën penale – ndihma në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit.

Të pandehurve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, prej datës 20 tetor  deri më 20 nëntor.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i  pandehuri M.C duke vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme për përfitime të tij materiale së bashku me dy të pandehurit N.SH dhe H.Sh”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër këtyre tre të pandehurve është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës. Po ashtu ekziston rreziku se po të lihen në mbrojtje në liri të pandehurit do të mund të ndikojnë në njeri tjetrin  për të koordinuar mbrojtjen e tyre, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Në një prononcim për KALLXO.com sot prokurori Kujtim Munishi tregoi se prokurorja kujdestare ka kërkuar një muaj paraburgim ndaj tre të arrestuarve nën dyshimet për kryerjen e veprës penale – marrje e ryshfetit.

https://kallxo.com/prokuroria-kerkon-paraburgim-per-zv-ministrin-e-arrestuar-per-ryshfet/

Policia e Kosovës njoftoi dje për arrestimin e tre të dyshuarve për ryshfet.

Në mesin e tyre është edhe zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Musa Cena, i cili vjen nga radhët e partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Me datë 20.10.2018 Policia e Kosovës pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore ka kryer arrestimin e tre personave të dyshuar te involvuar në veprat penale Marrje e ryshfetit dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit Zyrtar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të dyshuarit duke vepruar në bashkëkryerje dyshohet se kanë marrë ryshfet nga pala e dëmtuar. Te gjitha veprimet tjera policore do të ndërmerren konform autorizimeve dhe rekomandimeve të organeve kompetente të drejtësisë”, tha Daut Hoxha për KALLXO.com.

https://kallxo.com/arrestohet-zevendesministri-i-zhvillimit-rajonal/

www.kallxo.com