Vendimi i Gjykatës për Fatmir Limajn në Rastin ‘Bellanica’

Një vit e pesë muaj pas ngritjes së aktakuzës ndaj Fatmir Limajt për krime lufte, gjykata shpalli verdiktin.

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka shpallur të pafajshëm Fatmir Limajn në lidhje me vrasjet e dy civilëve Ramiz Hoxhës e Selman Binishi.

“Nuk provohen elementet e vepres penale dhe i pandehur lirohet nga aktakuza” ka thënë gjykatësi

Hoxha e Binishi ishin vrarë më 2 tetor 1998 në Komunën e Malishevës gjatë kohës së luftës, pasi, sipas prokurorisë, ishin marrë nga persona të maskuar e të armatosur me uniforma të UÇK-së.

Në fjalën përfundimtare prokuroria kishte kërkuar dënimin e Fatmir Limajt për përgjegjësisnë komanduese, ngase sipas organit të ndjekjes i akuzuari nuk kishte bërë asgjë për të parandaluar vrasjet.

Gjatë kësaj fjale të dhënë më 6 mars 2018, prokuroria konstatoi se Limaj, por edhe ish-ushtarakë të lartë të UÇK-së gjatë gjykimit nuk arritën ta mbrojnë imazhin e luftës së kësaj ushtrie.

Në të njëjtën ditë, Limaj në fjalën e tij përfundimtare, shprehu keqardhjen për familjet e dy të vrarëve që tha se pavarësisht odiseadës që përjetuan, nuk arritën ta kuptojnë nga ky gjykim kush i kishte kryer vrasjet.

Limaj dhe avokati i tij Tahir Rrecaj e cilësuan lehtësim për familjet e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit vërtetimin gjatë gjykimit se dy të vrarët nuk u vranë si kolaboracionistë, e as tradhtar]ë të kombit.

http://kallxo.com/limaj-shpreh-keqardhje-per-vrasjet-ne-bellanice/

Aktakuza ndaj Limajt për krime lufte ishte ngritur më 28 tetor 2016.

Aktakuza e ngarkonte të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.

 

 

http://kallxo.com/aktakuze-per-krime-lufte-ndaj-fatmir-limajt/

Limaj ishte deklaruar i pafajshëm më 13 janar 2017.