Vëllai i policit të dyshuar për vrasjen fotografohet në vendin e krimit

Vëllai i policit Shefki Spahiu i cili dyshohet se ditën e djeshme në një kazino, privoi nga jeta një punëtor, punon në Prokurorinë Themelore në Prizren.

KALLXO.com mëson se i njëjti gjatë ditës së djeshme ishte në vendin e ngjarjes ku u krye vrasja, por që i njëjti ishte gjatë orarit të punës.

Në lidhje me rastin, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shalën.

I njëjti i ka pranuar KALLXO.com se personi i cili shihet në fotografi është shofer në prokurori dhe se i njëjti është vëllai i policit të dyshuar.

“Lidhur me rastin në fjalë mund t’iu konfirmojmë se vëllai i tani te dyshuarit për vrasjen ne Suharekës është punëtor i kësaj prokurorie në pozitën e shoferit dhe ditën në fjalë i njëjti ka qene kujdestar dhe prokurori ka kërkuar nga ai që ta dërgoj deri ne vendin e ngjarjes. Detyra e vetme e shoferit është që ta dërgoj prokurorin deri tek vendi i ngjarjes dhe të qëndroj jashtë perimetrit të caktuar nga policia dhe në asnjë mënyrë nuk ka mundur të ndërhyjë ne rast”, ka thënë Kryeprokurori Shala për KALLXO.com.

Për derisa kryeprokurori Shala ka thënë se puna e shoferit nuk parasheh që të qëndroj brenda perimetrit të dyshuar, në fotografi nuk duket njëjtë.

Shoferi i Prokurorisë Themelore në Prizren sipas fotografisë është duke qëndruar tek vetura e ambulancës e cila po tërhiqte trupin e të riut që u vra ditën e djeshme.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, gjithashtu ka thënë se në lidhje me rastin nuk ka qenë i informuar shoferi i cili është vëllai i të dyshuarit.

“Askush nga prokuroria dhe as nga policia nuk ka pasur informacion se kush ka mund të jetë i dyshuari në këtë rast”, tha Kryeprokurori për KALLXO.com

Një zyrtar policor është arrestuar gjatë ditës së djeshme, nën dyshimet se i njëjti ka vrarë një punëtor të një kazinoje.

Komandanti i Policisë Rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, tha në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë se ekzistojnë dyshime se vrasjen e të riut nga Mushtishti e ka kryer një rreshter i stacionit policor Veri në Prizren.

“Rasti ka ndodhur në orën 9:47 minuta në rr. “Skënderbeu”, në një lokal-kazino, i cili punon 24 orë. Ne kemi dalë në vend të ngjarjes dhe aty kemi parë që viktima ka qenë i vrarë me armë zjarri dhe ka qenë pa shenja jete. Këtë e ka konstatuar mjeku kujdestar. Dyshimet e para janë se vrasjen e ka kryer një pjesëtar i policisë së Kosovës, rreshter në stacionin policor Veri në Prizren”, tha Krasniqi.

Më tutje ai tregoi se është bastisur banesa dhe shtëpia e të dyshuarit dhe me urdhër të prokurorit personi i dyshuar është arrestuar për 48 orë.