Vdes veterani i luftës së UÇK-së, Skënder Krasniqi-Plaku

Komuna e Malisheves ka njoftuar se ka ndërruar jetë veterani i luftës së UÇK-së, Skënder Krasniqi, i njohur si “Plaku”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi ka shprehur ngushëllimet me rastin e vdekjes së tij.

Sipas Haradinajt , Krasniqi ishte një luftëtar i gatshëm për sakrificë dhe shembulli i tij duhet të kujtohet ndër breza.

“I pikëlluar për ndarjen nga jeta të bashkëluftëtarit tonë, Skender Krasniqi. Skenderi ishte luftëtar i orëve të para, i gatshëm për sakrificë, sa herë që e kërkoi atdheu. Shembulli i tij prej luftëtari e atdhetari, do të kujtohet ndër breza. Ngushëllime familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Homazhet për të ndjerin organizohen nga OVL e UÇK-së, në ora 15:00 në Shtëpinë e Kulturës ”Tahir Sinani” në Malishevë dhe Mbledhja Komemorative mbahet në ora 16:00.

Ndërsa varrimi bëhet në ora 17:00 në Varrezat e fshatit Carrallukë.