QKUK - Foto: KALLXO.com

Vdes edhe një person nga gripi

Komiteti për Gripin Sezonal në nivel të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ka mbajtur mbledhjen në të cilën është analizuar situata e fundit me gripin sezonal.

“U konstatua një rast i vdekur me influencë A, pacienti ka pasur sëmundje kronike përcjellëse. Në laboratorët e Qendrës Kombëtare të gripit në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike deri më 22 shkurt 2019 janë testuar gjithsej 661 mostra të dyshimta me influencë, prej tyre 240 raste rezultojnë pozitive në influencën e tipit A”, thotë SHSKUK.

Për shkak të epidemisë së gripit Instituti i Shëndetit Publik rekomando Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknkologjisë që të gjitha institucionet parashkollore, fillore dhe të mesme ku fëmijët dhe nxënësit kanë shenja dhe simptoma të gripit (temperaturë të lartë, lodhje, rrjedhje hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku dhe muskujsh) t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi, duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut.

“Instituti Kombëtar dhe SHSKUK përsërisin rekomandimet për qytetarët që të kenë kujdes mos të dalin në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorin sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina” thuhet në njoftim.

Deri më tani 10 persona kanë vdekur nga gripi por sipas profesionistëve të njëjtit kanë pasur edhe sëmundje të tjera përcjellëse.