Gjykata Shtetërore e Bosnjes në Sarajevë, Foto: BIRN

Vdekjet e fëmijëve në Gorazden e rrethuar të Bosnjës ende të pandëshkuara

Njëzet e pesë vjet pasi forcat serbe të Bosnjës bombarduan qytetin boshnjak të Gorazdes – e deklaruar një “zonë e sigurt” e mbrojtur nga OKB-ja – askush nuk është ndjekur penalisht për sulmet ku mbetën të vrarë shumë fëmijë. 

“Pati një sulm të ashpër në Gorazde nga bregu i majtë i lumit Drina. Kishte granata dhe tym në të gjithë vendin,” tha Mirsada Causeviq për BIRN, duke kujtuar një sulm artilerie nga serbët e Bosnjës ndaj Gorazdes në Bosnjën lindore që çoi në vdekjen e djalit të saj tetëvjeçar Haris më 14 prill 1994.

“Njerëzit po largoheshin në bregun e djathtë të lumit. Ne po fshiheshim, por pastaj, krejt papritur, gjithçka heshti, nuk po binin më predha,” tha Causeviq.

Ndërsa sulmi dukej se kishte ndalur, Haris doli jashtë shtëpisë për të luajtur me 9-vjeçarin Eldin Basiç dhe tetëvjeçarin Ervin Usanoviq.

“Një predhë shpërtheu në orën 12 pa pesë. Ajo i vrau të tre djemtë. Një copë e saj preku arterien koronare të tim biri. Dy djemtë e tjerë u gjymtuan nga copat e predhës,” tha Causeviq.

“Një fqinj më tha se e pa Harisin të thërriste të ëmën që ta ndihmonte. Mendoj se zemra e tij po rrihte ene pak.”

Gorazde u rrethua nga Ushtria Serbe e Bosnjës për 1,336 ditë, gjatë së cilës rreth 2,000 civilë u vranë, përfshirë 148 fëmijë, sipas shoqatave të viktimave të luftës.

Bombardimet qenë sidomos në prill 1994, gjatë operacionit “Zvijezda 94” të Ushtrisë Serbe të Bosnjës. Njëzet fëmijë u vranë në më pak se një muaj, mes tyre Haris Kauseviç dhe dy miqtë e tij.

Askush ende nuk është gjykuar, as në gjykatat e Bosnjës, as në gjykatën e OKB-së për krimet e luftës në Hagë, për bombardimin e Gorazdes gjatë rrethimit. Rasti i vetëm në të cilin ai u përmend ishte në gjykimin në Hagë të ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviq, i cili vdiq në vitin 2006 përpara përfundimit të gjykimit të tij.

Ka dy raste që janë ende në vazhdim e sipër kundër boshnjakëve për krime lufte në Goradze. Ish-policët Ibro Merkez, Predrag Boguniq dhe Esef Huris janë në gjyq për ndalimin e paligjshëm, vrasjet dhe trajtimin çnjerëzor të serbëve në Goradze në vitin 1992 dhe 1993, ndërsa komandanti i brigadës së Ushtrisë Boshnjake Ahemt Sejdiq akuzohet për krime kundër civilëve serbë dhe të burgosurve të luftës, duke përfshirë ndalimin dhe torturimin ilegal, në komunat Rudo, Visegrad dhe Gorazde gjatë të njëjtit vit.

Prokuroria e Bosnjës muajin e kaluar gjithashtu paditi ish-luftëtarin serb të Mbrojtjes Territoriale Lazar Mutlak për përdhunimin dhe ngacmimin seksual të boshnjakëve në Gorazde në vitin 1992.

Ferida Smajoviq, kryetarja e Shoqatës së Viktimave Civile në Gorazde, tha se sulmet e Ushtrisë Serbe të Bosnjës mbi qytet filluan në maj të vitit 1992.

“Predhat e para shpërthyen në Gorazde më 4 maj, kur mbetëm pa energji elektrike, ujë, ushqim,” tha Smajoviq.

“Në prill 1994 pati një ofensivë masive, në të cilën shumë civilë dhe një numër i madh fëmijësh u vranë. Për fat të keq, për 25 vjet askush nuk është gjykuar për të gjitha ato krime, për fëmijët që u vranë dhe për rrethimin që zgjati 1,336 ditë,” shtoi ai.

Muamer Dzananoviq, një bashkëpunëtor i lartë me Institutin për Hulumtimin e Krimeve kundër Njerëzimit dhe të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Sarajevës, publikoi një libër me titull “Krimet kundër fëmijëve në Gorazde gjatë rrethimit 1992-1995” për vrasjet e fëmijëve gjatë luftës.

Libri, i cili përmban punën hulumtuese të autorit, tregon se fëmijët u vranë në Gorazde edhe pasi ajo u shpall “zonë e sigurt” e mbrojtur nga OKB-ja më 6 maj 1993.

Dzananoviq tha se kur Gorazde u shpall zonë e sigurt sipas Rezolutës 824 të Këshillit të Sigurimit të OKB, të paktën 56 fëmijë tashmë ishin vrarë dhe 225 ishin plagosur.

Nga data e rezolutës së Këshillit të Sigurimit deri në fund të luftës, të paktën 64 fëmijë u vranë dhe 203 u plagosën.

Libri i Dzananoviq thotë se fëmijë të të gjitha moshave u vranë – 40 për qind e tyre ishin të mitur. Mbi 98 për qind e fëmijëve të vdekur ishin boshnjakë.