Vdekje e Dyshimtë në QKUK

Në raportin e përditshëm të policisë thuhet se një person e ka raportuar në polici vdekjen e bashkëshortes.

Raportuesi i vdekjes i tha policisë se bashkëshortja e tij po trajtohej në QKUK.

Policia rastin po e trajton si vdekje të dyshimtë, ndërsa trupi i pajetë i të vdekurës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Mediat kanë raportuar për disa vdekje të dyshimta në QKUK javën e kaluar, ndërsa sipas një komunikate të lëshuar dje nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës janë krijuar komisione për hetimin e rrethanave të tyre.

Kryetari i Partisë Fjala Gëzim Kelmendi shkroi dje në Facebook se foshnja dymuajshe e vëllait të tij ka vdekur në QKUK, ndërsa bëri të ditur se do të ndjekë rrugën ligjore për zbardhjen e kësaj vdekjeje.