Adem Demaçi. Foto: Facebook

Vdekja e Adem Demaçit, tre ditë zie në Kosovë

Në nderim të figurës së veprimtarit të shquar, Adem Demaçi, i cili sot ka ndërruar jetë, presidenti Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, i ka shpallur tri ditë zie në Kosovë, përkatësisht ditën e premte, të shtunë dhe të diel.

Gjatë këtyre ditëve të zisë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore brenda dhe jashtë vendit, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Presidenti Thaçi e ka marrë këtë vendim duke u mbështetur në Ligjin nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, Ligjin 03/L-132 për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës dhe në Ligjin 03/L-038 për Përdorimin e Simboleve Shtetërore të Republikës së Kosovës.

Veprimtari i shquar, Adem Demaçi, do të varroset me nderimet më të larta shtetërore.

Adem Demaçi ka ndërruar jetë sot në moshën 82-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e Demaçit e dha nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.

https://kallxo.com/vdes-adem-demaci/

Pas këtij lajmi, deputetët mbajtën një minutë heshtje dhe më pas e ndërprenë seancën.