FOTO KALLXO - Kompania LAB OIL,ku vidiq dje punëtori 22 vjeçar nga Suhareka

Vdekja e 22 vjeçarit - Prokuroria e Prishtinës nis hetimet

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur edhe zyrtarisht hetimet për vdekjen e 22 vjeçarit që vdiq mbrëmë në vendin e tij të punës.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmua kryeprokurori, Imer Beka. Ai ka thënë se vdekja po cilësohet si e dyshimtë.

“Rasti është cilësuar si vdekje e dyshimtë, andaj për ketë arsye janë duke u zhvilluar hetimet lidhur me këtë çështje. Përveç dëshmitareve të cilët janë të njohur për hetuesinë, janë ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e këtij rasti, si dërgimi i kufomës në autopsi, si dhe, ekzaminimi i kamerave dhe telefonit të të ndjerit, i cili është gjetur në vendin e ngjarjes”, ka thënë Beka për KALLXO.com.

Ai tutje ka treguar se në vendin e ngjarjes përveç prokurorit kujdestar ka qenë edhe Inspektori i Punës nga komuna e Graçanicës.

Sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, 22 vjeçari ka vdekur në vendin e tij të punës duke i pastruar rezervuarët e natës.

“22 vjeçari Krenar Jemeni nga fshati Mushtisht, komuna e Suharekës, ka humbur jetën me 24.02.2019, gjatë kohës sa ishte duke punuar në Kompaninë ”Labi-Oil”, në periferi të Prishtinës, si pasojë e angazhimit në pastrimin e rezervuarit të naftës, në vendin e tij të punës”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë sot gjatë ditës, KALLXO.com raportoi për pengesat që pati kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, i cili nuk u lejua të hyjë në vendin e ngjarjes ku ka vdekur 22 vjeçari.

Kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi është ndaluar nga kompania “Lab-Oil” që të inspektoj vendin ku vdiq dje 22 vjeçar nga Mushtishti i Suharekës.

Ndonëse Ibrahimi i dha urdhër që të lejohet të hyjë në vendin e ngjarjes, pas bisedës në telefon me pronarët e “Lab-Oil”, atij nuk ju lejua të hyjë brenda vendit ku vdiq 22 vjeçari nga Mushtishti i Suharekës.

Ky veprim i kompanisë është cilësuar si mos bashkëpunim me organin e inspektoratit dhe shkelje e ligjit.

“Mos hapja e derës, është mos përgjigje ndaj inspektoratit të punës, me ligjin e inspektoratit dhe me autorizimet në fuqi, askush dhe në asnjë kohë, në asnjë rrethanë nuk mundet që t’ia ndaloj inspektoratit të punës hyrjen. Këta e kanë bërë një shkelje që nuk e kanë hapë derën për me pa vendin e ngjarjes”, tha Kryeinspektori Ibrahimi.

 

https://kallxo.com/vdekja-e-22-vjecarit-pamjet-ekskluzive-kur-kryeinspektorit-nuk-i-lejohet-te-hyje-ne-kompanine-e-derivateve/

 

Ndërkohë, Bislim Muqa, drejtor menaxhues  i kompanisë “Lab-Oil” ka dhënë arsyet se pse sot nuk u lejua Kryeinspektori i Punës të hyjë në vendin ku vdiq 22 vjeçari nga Mushtishti i Suharekës.

Sipas drejtorit menaxhues, arsyeja ka qenë sepse në kohën kur ka shkuar Kryeinspektori nuk ka qenë askush tek fabrika.

“Nuk është se nuk e ka lënë kurrkush me hy, por ne deri në ora 11:00 kemi qenë aty, në 11:00 ora na e kemi mbyllë vendin sepse jemi duke u bërë gati për varrim. Ne jemi në Mushtisht, nuk është se ne e kemi penguar, por s’ka pasur kush me ja hapë derën. Ai na thoshte hajdeni prej atje, po nuk po vijmë se ne jemi ardh për varrim këtu. Unë i thash, pse zotni nuk je ardh më herët sepse deri në ora në 11:00 jemi kanë aty”, ka thënë Bislim Muqa nga kjo kompani.

 

https://kallxo.com/vdekja-e-22-vjecarit-naftari-konfirmon-se-kryeinspektori-e-pati-deren-mbyllur/

.