Vdekja e 22-vjeçarit, Inspektorati gjen 5 shkelje në kompaninë e naftës

Inspektorati i Punës ka dhënë disa përgjigje për shkaktarët e vdekjes së 22-vjeçarit Krenar Jemini nga Mushtishti i Suharekës. Ai vdiq në vendin e tij të punës në kompaninë “Lab Oil”. Shiriti transportues ishte shkaktari kryesor i vdekjes së tij.

Në raportin e siguruar nga KALLXO.com përmenden pesë gjetje të sigurisë në punë dhe trajnimin e punonjësit i cili vdiq.

Punëdhënësi kishte prezantuar një kontratë të lidhur me punëmarrësin ndërsa dokumenti i cili bën përshkrimin e detyrave të punës nuk është  i nënshkruar.  Po ashtu, raporti konstaton se punonjësi për punën që bënte nuk ka qenë i trajnuar.

“Nuk është dhënë në mënyrë të saktë detyra për të cilën ka qenë i ngarkuar punëmarrësi (i ndjeri). Si dhe, përshkrimi i vendit të punës, nuk është i nënshkruar nga punëdhënësi dhe punonjësi i ndjerë dhe si i tillë nuk prodhon efekt juridik”, thuhet në raportin e Inspektoratit.

Disa prej konstatimeve të Inspektoratit të Punës për parregullsitë në vendin e punës ku vdiq 22-vjeçari përfshihen nga Ligji i Punës dhe Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë.

“Kontrata e punës në përmbajtje nuk e ka llojin e punës, llojin e shërbimeve dhe përshkrimin e detyrave të punës”, thuhet në konstatimin e Inspektoratit të Punës.

Përgjegjës sipas IP-së “Lab Oil” është edhe për mosofrimin e sigurisë në vendin e punës. Kështu, i ndjeri, sipas raportit, nuk kishte ndjekur asnjëherë trajnimet e nevojshme për siguri dhe shëndet në punë siç obligohen kompanitë me ligjet në fuqi.

“Nuk ka ndërmarrë (Lab Oil) masat për sigurinë dhe shëndetin në punë lidhur me sigurimin e informatave, trajnimin e të lënduarit për punë të sigurt dhe për vendin e tij të punës, udhëzimet e duhura për përdorimin dhe mirëmbajtjen e makinerive, instrumenteve, pajisjeve dhe veglave të punës”. thuhet në raport.

I njëjti konstaton se në vendin ku ndodhi aksidenti mungojnë shenjat dhe udhëzimet të përshtatshme për punë të sigurt dhe të shëndetshme dhe vendosja e tyre në vendet e dukshme.

“Aksidenti ka ndodhur si pasojë e mungesës së njohurive në këtë lëmi. Veprimi i punëtorit (të ndjerit) gjatë ndërhyrjes në procesin e punës është joprofesional dhe jashtë rregullave teknike”, thuhet tuje në raportin e Inspektoratit të Punës.

Më tej, raporti sjell në pah edhe mungesën e kontrolleve të makinerisë nga kompania “Lab Oil”.

“Është përgjegjës për shkeljen e dispozitës së nenit 14 paragrafi 1 të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë, sepse pajisjen- shiritin transmetues bashkë me cilindrin e udhëzuar, nuk e ka servisuar rregullsinë dhe sigurinë e saj me kontrolle të herëpashershme në afate të përcaktuara me aktin që e miraton ai, përkatësisht me udhëzimin e prodhuesit”, thuhet më tej në raport.

Kompania po ashtu nuk kishte bërë vlerësime të rrezikut për vendin ku punonte 22-vjeçari, andaj sipas inspektorit të rastit edhe shkeli nenin 16 të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë.

“Është përgjegjës për shkeljen e dispozitës nenit 16 paragrafi 1 dhe 3 të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë, sepse nuk ka bërë vlerësimin e rrezikshmërisë në vendin e punës, duke hartuar dhe ndërmarrë masat mbrojtëse të domosdoshme për siguri” vlerësoi Inspektorati.

Raporti konstaton se 22-vjeçari punonte në kompani pa iu nënshtruar kontrolleve mjekësore.

“Është përgjegjës për shkeljen e dispozitës së nenit 22 paragrafi 2 të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë, sepse punonjësit të ndjerë nuk i ka kryer kontrollimin mjekësor”, thuhet në fund të raportit.

Sipas raportit, inspektori ka bërë vërejtje me shkrim që punëdhënësi në vazhdimësi të ndërmarrë masat për siguri dhe shëndet në punë.

“Lab- Oil”: Nuk janë të sakta gjetjet e Inspektoratit të Punës

Kompania “Lab- Oil” nuk është pajtuar me gjetjet e raportit të Inspektoratit të Punës që ky institucion publikoi ditë më parë mbi vdekjen në vendin e punës të 22-vjeçarit Krenar Jemini.

Bislim Muqaj, drejtor menaxhues i “Lab-Oil”, tha se për këtë do të ushtrojnë ankesë në shkallën e dytë të trupës së Inspektoratit.

“Nuk janë të sakta të gjitha ato që thuhen në raportin e Inspektoratit të Punës dhe për këtë ne do të parashtrojmë ankesë në shkallen e dytë të inspektoratit të punës”, tha Muqaj për KALLXO.com.

Sipas drejtorit menaxhues, pas gjetjeve të Inspektoratit të Punës kjo kompani ka filluar që t’i evitojë parregullsitë.

“Po, të gjitha vërejtjet që na janë bërë nga Inspektorati janë duke u evituar. Janë kryer kontrollet mjekësore, i kemi siguruar të gjithë punonjësit e kompanisë dhe kemi angazhuar një kompani për vlerësimin e rrezikshmërisë në vendet e punës”, tha ai.

KALLXO.com raportoi në vazhdimësi për trajtimin e këtij rasti, përfshirë momentet kur Kryeinspektori nuk u lejua të hyjë në këtë kompani.

Inspektorati i Punës nuk ndërmori asnjë masë ndaj kompanisë “Lab Oil” që kjo e fundit nuk e lejoi të inspektojë në vendin e ngjarjes më 25 shkurt, edhe pse kishte paralajmëruar masa gjatë asaj dite.

“Inspektori vendos çka përfshin në raport”, tha Basri Ibrahimi në një prononcim të shkurtër.

Këtu mund ta gjeni të plotë raportin e Inspektoratit të Punës.

https://kallxo.com/vdekja-e-22-vjecarit-prokuroria-e-prishtines-nis-hetimet/

https://kallxo.com/vdekja-e-22-vjecarit-naftari-konfirmon-se-kryeinspektori-e-pati-deren-mbyllur/

https://kallxo.com/jusuf-azemi-shteti-u-shantazhua-kur-u-ndalua-kryeinspektori-ne-vendin-ku-vdiq-22-vjecari/

www.kallxo.com