Basri Ibrahimi - Kryeinspektor i Punes - 25.02.2019 - KALLXO

Vdekja e 22 vjeçarit: Biznesi që ia mbylli derën kryeinspektorit u dekorua nga presidenti Thaçi

Kompania “Lab Oil” , në të cilën gjatë ditës së djeshme vdiq i riu 22-vjeçar në vendin e punës duke pastruar kazanët e derivateve të naftës, në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ishte dekoruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si një nga 10 kompanitë më të mëdha taksapaguese në buxhetin e shtetit.

Pronari i kësaj kompanie në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës konfiguron se është Raif Gashi.

Se Gashi është dekoruar nga Thaçi është bërë e ditur përmes një njoftimi nga vet kompania “Lab Oil” në web faqen e saj.

“Për nder të përvjetorit të 10-të të Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, e ka dekoruar  me mirënjohje të veçantë kompaninë “Lab-Olil”, si njërën nga 10 kompanitë më të mëdha taksapaguese  në Buxhetin e Shtetit.  Mirënjohjen nga Presidenti Thaçi e ka pranuar pronari i kompanisë, z. Raif Gashi, i cili  e ka falënderuar Presidentin dhe ka thënë se është fakt inkurajues për të gjithë kur vlerësohet puna e atyre që shtetësinë e Kosovës e ndërtojnë dhe e fuqizojnë për çdo ditë, në heshtje dhe pa zhurmë”, është bërë e ditur në njoftim.

Derisa, kjo kompani mban pozitën si taksapaguesja më e mirë e shtetit, ishte pikërisht kjo që sot nuk ia lejoji hyrjen kryeinspektorit të Punës, Basri Ibrahimi.

Ndonëse Ibrahimi i dha urdhër që të lejohet të hyjë në vendin e ngjarjes, pas bisedës në telefon me pronarët e “Lab-Oil”, atij nuk iu lejua të hyjë brenda vendit ku vdiq 22-vjeçari nga Mushtishti i Suharekës.

Ky veprim i kompanisë është cilësuar si mosbashkëpunim me organin e Inspektoratit dhe shkelje e ligjit.

“Moshapja e derës është mospërgjigje ndaj Inspektoratit të Punës. Me ligjin e Inspektoratit dhe me autorizimet në fuqi, askush dhe në asnjë kohë, në asnjë rrethanë, nuk mundet që t’ia ndalojë Inspektoratit të Punës hyrjen. Këta e kanë bërë një shkelje që nuk e kanë hapë derën për me pa vendin e ngjarjes”, tha kryeinspektori Ibrahimi për KALLXO.com.

KALLXO.com po ashtu ka kontaktuar edhe kompaninë “LAB-Oil” për të marrë vesh pse nuk u lejua hyrja e kryeinspektorit Ibrahimi.

Bislim Muqa, drejtor menaxhues  i kompanisë “Lab-Oil” tha se arsyeja ka qenë sepse në kohën kur ka shkuar Kryeinspektori nuk ka qenë askush tek fabrika.

“Nuk është se nuk e ka lënë kurrkush me hy, por ne deri në ora 11:00 kemi qenë aty, në 11:00 ora na e kemi mbyllë vendin sepse jemi duke u bërë gati për varrim. Ne jemi në Mushtisht. Nuk është se ne e kemi penguar, por s’ka pasur kush me ia hapë derën. Ai na thoshte hajdeni prej atje, po nuk po vijmë se ne jemi ardhë për varrim këtu. Unë i thash: Pse zotni nuk je ardhë më herët sepse deri në ora në 11:00 jemi kanë aty”, ka thënë Bislim Muqa nga kjo kompani për KALLXO.com.

https://kallxo.com/vdekja-e-22-vjecarit-naftari-konfirmon-se-kryeinspektori-e-pati-deren-mbyllur/

Ndryshe, 22-vjeçari nga Mushtishti vdiq gjatë ditës së djeshme duke pastruar kazanët e derivateve të naftës në këtë kompani.