Vazhdon Përpjekja për Konstituimin e Kuvendit
Në rend të ditës është vetëm një pikë: zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.
Partitë e koalicionit PDK-AAK-Nisma kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme me arsyetimin se kryesuesi i seancës nuk është konsultuar me ta kur e ka caktuar mbajtjen e saj.
Ndërsa, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa.
Organet drejtuese të Kuvendit nuk janë zgjedhur në seancën e 3 gushtit, kur deputetët e rinj, të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, e dhanë betimin. Seanca ishte ndërprerë më pas, për të vazhduar të njëjtën ditë por për shkak të mungesës së kuorumit dështoi sërish. Një seancë tjetër në përpjekje për zgjedhjen e organeve drejtuese të Kuvendit ishte mbajtur edhe më 4 gusht, por edhe ajo dështoi për shkak të mungesës së kuorumit.