Vazhdon konfiskimi i aparateve të lojërave të fatit

Policia e Kosovës ka folur sot pasdite në një konferencë për shtyp për një operacion të gjerë kontrolli ndaj lojërave të fatit.

Operacioni i Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganën e Kosovës po vazhdon ende.

Një qytetar ka dërguar fotografi në KALLXO.com ku shihet konfiskimi i aparateve të lojërave të fatit.

Sipas qytetarit kjo ka ndodhur në kazionin “Las Vegas”, në lagjen Kalabria në Prishtinë.

KALLXO.com ka kontaktuar me Doganën e Kosovës në lidhje me konfiskimin e aparateve në këtë kazion.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adratik Stavileci ka konfirmuar për KALLXO.com se në kazinon në fjalë janë konfiskuar mbrëmjen e sotme katër aparate të lojërave të fatit.

“Në lokacionin në fjalë nga Dogana e Kosovës janë konfiskuar sot katër aparate të lojërave të fatit”, ka thënë Stavileci.

Gjahu i policisë kundër këtyre lojërave është intensifikuar ditëve të fundit pasi në dy raste të ndara, një në Suharekë dhe një tjetër në Lipjan, dy persona mbetën të vrarë në objekte të lojërave të fatit.

Policia në konferencën e mbajtur sot ka treguar se deri tani policia dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë mbyllur 35 lokale të lojërave të fatit dhe kanë konfiskuar 118 aparate të këtyre lojërave.

https://kallxo.com/policia-jep-detaje-per-operacionin-kunder-lojerave-te-fatit/