Pamje nga një seancë e mëhershme e gjykimit për tenderin e KEK-ut - Foto: KALLXO.com

Vazhdon Gjykimi për Tenderin 6 Milionësh të KEK- ut

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj gjashtë personave të akuzuar lidhur me tenderin gjashtë milionësh për sigurimin e objekteve të KEK-ut.

Të akuzuar  për këtë tender janë drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha, ish- kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Duraku.

Në seancën e kaluar, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Po ashtu, prokurori Danilo Cecarelli përmendi kërcënimin e kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Blerim Dinës, për një tender tjetër prej 21 milionë eurosh që lidhej me Autostradën Prishtinë- Gjilan, kështu duke paralajmëruar Dinën si dëshmitar të mundshëm.

“Kohët e fundit kemi lexuar në shtyp se kreu i OShP-së Blerim Dina është kontaktuar në emër të të akuzuarit Sami Lushtaku kinse për të diskutuar për një tender në vlerë prej 21 milionë eurove dhe kjo rrethanë nëse është e vërtetë e mbështet dhe konfirmon akuzën ndaj Sami Lushtakut në këtë rast”, ka thënë Cecarelli në seancën e kaluar.

KALLXO.com kishte shkruar për kërcënimin e Dinës dhe arrestimin e paraburgimin e Naim Sallahut dhe Shaban Lushtakut në lidhje me këtë çështje, ndërsa ishte përmendur edhe emri i Sami Lushtakut lidhur me këtë kërcënim.

Sami Lushtaku në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” e mohoi se ka gisht në kërcënimin e Blerim Dinës.

http://kallxo.com/lushtaku-nuk-kam-gisht-ne-kercenimin-e-shefit-te-oshp-se/

Kjo kërkesë e prokurorit Cecarelli u refuzua nga mbrojtja, derisa gjykatësi Beqir Kalludra tha se vendimi do të merret jashtë seancës.

Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish- drejtori i prokurimit Driton Pruthi, drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj, ish-kreu i OSHP-së Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare. Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Çështja e këtij tenderi të KEK-ut kishte shkuar më herët deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila refuzoi kërkesën e të akuzuarve për t’i vënë masë të përkohshme procesit.

http://kallxo.com/kushtetuesja-refuzon-arben-gjuken-sami-lushtakun-hysni-hoxhen/

Për tenderin e KEK-ut Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar në vitin 2014, ndërsa hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, e aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

http://kallxo.com/gjnk/tender-milionesh-per-ish-truprojen-dhe-nipin-e-sami-lushtakut/

Aktualisht, kjo është aktakuza e dytë që rëndon mbi Sami Lushtakun.

http://kallxo.com/edhe-dy-aktakuza-rendojne-mbi-sami-lushtakun/