Vazhdojnë tensionet në Shqipëri, Policia mbron materialet zgjedhore me lotsjellës

Në Kamëz të Shqipërisë Bashkia urdhëron lirimin e ambienteve të shkollës “Ibrahim Rugova” ku ndodhet KZAZ, nr 27 në zbatim të dekretit të presidentit Ilir Meta i cili anulon 30 qershorin si datën e zgjedhjeve, raporton oranews.

Ndërkohë këto ambiente po ruhen nga policia. Policia merr në mbrojtje KZAZ Paskuqan.

Artan Dervishi drejtor i medias në bashkinë Kamëz tha se policia kishte përdorur forcë dhe gaz lotsjellës.

“Jemi këtu për të protestuar dhe larguar materialet zgjedhore në zbatim të dekretit të presidentit. Kishte përplasje fizike. Policia përdori dhunë dhe gaz lotsjellës” – u shpreh ai.

Policë me maska antigaz në fytyrë kanë bllokuar derën ndërsa mbështetësit e opozitës janë zbrapsur në anën tjetër të rrugës.

Mbështetës të opozitës hapën me forcë derën e shkollës “Ibrahim Rugova” ku ndodhet KZAZ nr 27.

Kjo bëri që policia të ndërhyjë duke hedhur një solucion, ndoshta gaz lotsjellës, por ende nuk dihet saktë.

Nga gazi janë lënduar edhe policët edhe mbështetësit. Madje një polic bashkiak humbi ndjenjat dhe u dërgua me urgjencë drejt spitalit. Në ndihmë të efektivëve të policisë ishin dhe Forcat Speciale.

Në një moment nënkryetari i bashkisë së Kamzës kërkoi të hyjë në ambientet e KZAZ në zbatim të dekretit por u pengua nga policia.

Ndërsa, mbështetësit e opozitës në Burrel kanë arritur të futen brenda ambienteve të KZAZ nr. 17 dhe morën materialet zgjedhore duke i djegur.

Ndërsa u regjistruan përplasje mes mbështetësve të opozitës dhe policisë në ambientet e KZAZ nr 16.

Për ndalimin e mbështetësve të opozitës për tu futur brenda në KZAZ erdhën përforcime nga FNSH.

Efektivët e FNSH ishin të armatosur me shkopinj gome dhe me gaz lotsjellës. Mbështetësit e opozitës tentuan të futen brenda ambienteve dhe gjuajtën me gurë në drejtim të policisë.

Dhe më pas forcat e FNSH iu përgjigjën duke hedhur gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës. Nga përplasja mes mbështetësve të opozitës dhe forcave të policisë kanë mbetur disa të lënduar.

Mes të lënduarve ka qytetarë dhe efektivë policie. Raportohet se forcat speciale goditën me shkopinj gome edhe kryetarin e PD në këtë bashki, Arjan Nikën, i cili është dërguar në spitalin e Burrelit.

Ndërsa tensionet mes policisë dhe mbështetësve të opozitës vazhdojnë. Këta të fundit janë shprehur se nuk largohen derisa në lirimin e  KZAZ-s.