Vasfije Krasniqi takohet me udhëheqësit e Vetëvendosjes

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, bashkë me udhëheqës tjerë të partisë, janë takuar sot me Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas njoftimit të Vetëvendosjes, thirrja e Vasfijes është thirrja e 20 mijë grave dhe vajzave të dhunuara dhe thirrja e saj i jep zë dhimbjes.

“Një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë janë dhunimet seksuale të kryera nga forcat e Serbisë. Ky krim shpërfaq faktin se Serbia nuk mjaftohej me vdekjen e shqiptarëve. Përçmimi i tyre ndaj nesh nuk kishte të sosur. Aq i rëndë ka qenë ky përçmim sa institucionet e vendit dhe shoqëria jonë e pasluftës nuk ia kanë dalë të kenë guximin të përballen hapur me këtë dhunë ndaj vajzave dhe grave”, thuhet në njoftimin e tyre.

Në këtë takim është diskutuar se për asnjë çast të vetëm drejtësia nuk është sjellë në vend dhe asnjë gjykim nuk është dhënë për ata që planifikuan, organizuan dhe kryen dhunimet ndaj grave dhe vajzave në Kosovë dhe këtë brengë të drejtësisë e rindau edhe  Vasfije Krasniqi Goodman.